Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 11:10

Tiranë – Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, nëpërmjet shtypit të shkruar, i drejtoi sot një letër të hapur kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke i kërkuar publikisht thyerjen e bojkotit të Kuvendit.

Në letrën që është publikuar ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, Braçe rendit arsyet pse PS-ja duhet të jetë aktive në jetën parlamentare. Ai e cilëson “faj të rëndë” dhe “turp” heshtjen që PS-ja po mban ndaj shumë prej aferave korruptive të qeverisë.

“Heshtja nuk është zgjidhje! Ky është turp! Turp është heshtja e opozitës! Heshtja bëhet faj, por nuk bëhet flori! Të paktën për ne jo!”, thotë Braçe.

Sipas tij, beteja e opozitës duhet bërë tani në Kuvend e çdo shesh, për të mbrojtur çdo pasuri. “Kuvendi ku ne mungojmë fizikisht dhe politikisht po rrëzon një tjetër premtim kushtetues”, tha Braçe, ndërsa theksoi se nga Partia Socialiste vetëm po qarkullojnë deklarata të stërbëra muajin e fundit, aq sa duket sikur qarkullon ditë pas dite i njëjti tekst por në folësa të ndryshëm.

Braçe gjithashtu kritikon ashpër edhe qëndrimet zyrtare të shprehura së fundmi nga PS-ja, duke i kërkuar publikisht kryetarit të partisë një reflektim të thellë.