Lajme Shqip Sunday, 02 March 2014 16:31

Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi një hua për Shqipërinë me një vlerë prej 330 milionëeurosh, për të mbështetur reformat e qeverisë. Kryefinancieri Shkëlqim Cani theksoi se shuma e huasë do ta ndihmojë qeverinë shqiptare të garantojë bizneset në shlyerjen e faturave të prapambetura, proces që pritet të nisë shumë shpejt.

Ministri i Financave theksoi se marrëveshja e suksesshme me FMN-në nënkupton 9 këste, i pari fillon në mars dhe më pas do të vijohet në bazë të ecurisë dhe kërkesave të qeverisë.

“Programi me FMN synon uljen e borxhit publik në një nivel të përshtatshëm për ekonominë shqiptare, është në mbështetje të zhvillimit dhe rritjes së ekonomisëshqiptare”- theksoi ministri.

Sipas ministrit Cani, pritet që edhe Banka Botërore, por dhe Bashkimi Europian, të ofrojnë një asistencë të ngjashme financiare për qeverinë.

“Marrëveshja i hap rrugë edhe marrëveshjeve të tjera, si me Bankën Botërore dhe një granti të mundshëm me BE, të nevojshme për mbështetjen e buxhetit dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit privat.”- deklaroi ministri i Financave.

FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtar e miratoi të premten një hua për Shqipërinë me një vlerë prej 330 milionë eurosh, (457 milionë dollarë) për të mbështetur reformat e qeverisë. Një shumë prej 26 milionë eurosh do të lëvrohet menjëherë.

David Lipton, kryetari në detyrë i Bordit Ekzekutiv të FMN-së, tha se parashikimi ekonomik për Shqipërinë për vitin 2014 pritet të përmirësohet si rezultat i pakësimit të planifikuar të rreziqeve fiskale, shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe fillimit të reformave strukturore. Megjithatë, sipas zyrtarit të FMN-së, rreziqet janë të larta dhe nevojat për rifinancimin e borxhit të mëdha.

Kjo marrëveshje, tha zoti Lipton, do ta ndihmojë Shqipërinë të plotësojë detyrimet e saj të jashtme financiare, duke ofruar nga ana tjetër, mbështetjen e nevojshme për të forcuar politikat e brendshme fiskale. Sipas zyrtarit të lartë të FMN-së, ristrukturimi financiar duhet të synojë uljen e borxhit publik nën 60 për qind të PPB. Sipas FMN-së, arritja e këtij objektivi kërkon marrjen e masave të forta në politikën e taksave dhe atë të shpenzimeve. /albeu/