Lajme Shqip Sunday, 25 August 2013 10:12

Prishtinë -Duket se Nazim Bllaca e ka ngreh këmbën zhag. Dënimi minimal për krimet e bëra që i është shqiptuar atij për hir të bashkëpunimit me EULEX’in, sipas ekspertëve dhe psikologëve po ngrit precedent për raste të tjera. Kjo sipas tyre ka ndikuar edhe tash, kur tre dëshmitarë të rinj kanë pranuar të bashkëpunojnë me misionin ndërkombëtar për sundimin e ligjit në Kosovë.

Megjithëse, sipas tyre nuk është Bllaca ai që po ia jep këtë mundësi këtyre dëshmitarëve, por është vet drejtësia që po i stimulon ata për të rrëfyer të gjitha vrasjet e kryera pas luftës në Kosovë.

Psikologu Agim Selimi thotë se është e qartë që dënimet e vogla ndikojnë në psikikën e njeriut, që të vendos e të bëhet dëshmitar i cili bashkëpunon me drejtësinë. “Kjo gjë është stimuluese dhe ndikon drejtpërdrejt në atë person”, thotë Selimi për Express.

Madje sipas tij ndodh që drejtësia vet i shqipton këto dënime, në mënyrë që të arrijë më shumë rezultate në mbledhjen e dëshmitarëve dhe provave. “Pasi e sheh që dënimi i vogël menjëherë ndikon që një person të pranojë të rrëfehet”, pohon ai.

Njëjtë mendon edhe avokati Artan Qerkini. Sipas tij, EULEX në këtë rast shqipton dënime të ulëta për dëshmitarët bashkëpunues vetëm e vetëm që të arrijë t’i bind personat e caktuar të bashkëpunojnë me ta.

“Sepse secili nga këta dëshmitarë mundohet që të përfitojë benefite nga ky status, pasi ata do të marrin automatikisht dënime më të vogla për aktet e kryera sesa në rastin kur ata nuk janë dëshmitar bashkëpunues”, thotë Qerkini për Express.

Pavarësisht këtij fakti, Qerkini mendon se EULEX duhet të ketë shumë kujdes kur të vendos t’ia japë një personi statusin e dëshmitarit bashkëpunues. “Duhet të kenë shumë kujdes në plotësimin e kushteve ligjore. Dëshmitari duhet ta ketë të besueshme dëshminë dhe dëshmia e tij duhet të qojë në zbardhjen e tërësishme të rastit”, thotë ai.

E jo sipas tij të veprohet sikurse deri më tash. Kjo pasi mendon se vlerësimet e gjykatës deri tani ka qenë pak të ngutshme, sidomos në rastin “Kleçka”.

“Në atë rast konsideroj që gjykata është ngutur kur i ka dhënë dëshmitarit X, statusin e dëshmitarit bashkëpunues pasi dëshmia e tij nuk ka qenë aq e qartë dhe për këtë kemi shumë shembuj, duke u nis nga deklaratë që kanë qenë shumë kundërthënëse e deri tek ekspertiza grafologjike që i është bërë ditarit të tij”, thotë avokati.

Pas dënimit të Nazim Bllacës me 4 vite e 5 muaj burg për krejt krimet e kryera, së fundmi statusin e dëshmitarëve bashkëpunues e kanë marrë edhe tre persona të tjerë, të cilët siç thuhet do të rrëfejnë për të gjitha krimet e bëra pas luftës, të cilësuara si vrasje “politike”.

Besnik Hasani, Shpend Qerimi dhe Shkumbin Mehmeti kanë fituar statusin e dëshmitarit. Të tre janë të dënuar me burgim mbi 30 vjet. Hasani dhe Qerimi kanë qenë policë, ndërsa Mehmeti i dënuar për vrasjen e një polici të UNMIK-ut.

Ata kanë filluar të japin dëshmi për krime të kryera në rajonin e Prishtinës dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Dëshmitarët thuhet sejanë ofruar vetë në dispozicion për të dëshmuar për krimet me anë të së cilave mund të zbardhen vrasja e Xhemajl Mustafës, Tahir Zemajt, Rexhep Lucit e të tjera./Express/