Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 11:44

Juristi amerikan, Robert J. Higdon, i cili punoi në Kosovë që nga viti 2009 në fushën e këshillimit juridik, tani ka vendosur që në bashkëpunim me investitorë të tjerë nga SHBA të vijnë dhe investojnë në Kosovë, investime kapitale që kapin shifra milionëshe, raporton lajmi.net.

Në një intervistë për lajmi.net, Higdon tregon për përvojën e tij në Kosovë, dhe arsyet se përse e sheh Kosovën si vend potencial për investime të mëdha.

Lajmi.net: Fillimisht, a mund të na tregoni për angazhimin tuaj në Kosovë?

Në Kosovë punojë që nga viti 2009. Nga viti 2009 deri në vitin 2015, jam marrë me trajnime dhe këshillime për gjyqtarët, prokurorët, avokatët mbrojtës dhe policët, si pjesë e një programi të sponsorizuar nga Departamenti i Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, që për fokus ka zhvillimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë në gjithë botën. Pas luftës në Kosovë, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, duke përdorur këtë program, ka vënë theks të veçantë në zhvillimin dhe forcimin e sistemit gjyqësor, duke mbështetur sundimin e ligjit, duke rishikuar kodet penale dhe civile të Kosovës, si dhe duke futur një sistem kuptimplotë për hetimin dhe zgjidhjen e kërkesave penale dhe civile. Kam qenë i nderuar që isha pjesë e kësaj përpjekjeje, ku kam realizuar mbi 20 udhëtime nëpër Kosovë për të punuar me palët e interesuar në sistem për të përmbushur këto qëllime. Kam krijuar marrëdhënie – miqësi të thellë me të gjithë në qeverinë tuaj.

Pas 24 viteve karrierë si prokuror federal në Shtetet e Bashkuara, në maj të këtij viti jam larguar nga Departamenti i Drejtësisë për t’iu bashkuar një firme ligjore shumë të respektuar, e quajtur “Williams Mullen”. Kjo firmë, e cila ka një prani të madhe dhe të rëndësishme në komunitetin ligjor në Shtetet e Bashkuara, posedon zyra në Uashington DC, dhe në shtetet si Virxhinia, Karolina e Veriut dhe ajo e Jugut. Ne përfaqësojmë klientët në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Firma është e njohur për punën dhe cilësinë jashtëzakonisht të lartë juridike, dhe ka një reputacion të fortë për të ndihmuar bizneset dhe njerëzit që të arrijnë qëllimet e tyre. Unë nuk mund të mendoj për asnjë platformë tjetër më të mirë e cila avokon qëllimet dhe aspiratat e popullit të Kosovës, siç jeni ju duke krijuar bizneset në vend, duke tërhequr investime nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ashtu sikurse kosovarët të investojnë në Shtetet e Bashkuara dhe të punoni për të forcuar lidhjet me komunitetin e biznesit të Shteteve të Bashkuara. “Williams Mullen” është një prej atyre firmave unike ligjore, që i bashkon njerëzit nga e mbarë bota në një tryezë të bisedimeve për të përmbushur qëllimet e tyre për klientët e tyre. Jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj firme, dhe krenar për interesimin e tyre për të ndihmuar njerëzit e Kosovës për të arritur sukses ekonomik.

Lajmi.net: Në cilat fusha jeni të interesuar të investoni?

Klientët tanë përfaqësojnë një seksion të kryqëzuar të biznesit dhe investimeve në botë. Dhe ata e dinë se investimi në njerëz dhe ekonominë e Kosovës kërkon një qasje afatgjate. Menjëherë, klientët tanë janë të interesuar në ato segmente të ekonomisë që mund ti kthejë njerëzit në punë. Kosova duhet të zhvillohet dhe rritet, mbi një bazë solide të prodhimit që mund të prodhojë produkte për përdorim brenda vendit por edhe për eksport. Ju duhet të shndërroheni një vend që prodhon produkte që fqinjët dhe qytetarët e Shteteve të Bashkuara dëshirojnë ti blejnë. Si të tillë, klientët e mi që janë të gatshëm të investojnë tani, janë të interesuar në ngritjen e prodhimit dhe pikat grumbulluese, që do të sigurojnë se produktet e veçanta do të eksportohen në Bashkimin Evropian, Lindjen e Mesme dhe në Shtetet e Bashkuara. Ne i kemi dy projekte të tilla të gatshme për ti lëvizur përpara gjatë muajve të ardhshëm. Këto projekte do të mundësonin punësim të menjëhershëm të punonjësve të cilët do të prodhojnë produkte për një treg në rritje.

Derisa prodhimi dhe pikat grumbulluese lëshojnë rrënjët e tyre, Kosova do të fillojë të zhvillojë reputacionin si një vend stabil dhe i dëshirueshëm për një sërë mundësish tjera ekonomike. Me rënien e papunësisë, eksportimin e produkteve dhe përfitimet e tjera që vijnë nga një segment i fortë i prodhimit, industritë tjera domosdoshmërish do të pasojnë të njëjtën rrugë. Dhe ne në “Ëilliams Mullen”, dëshirojmë të punojmë së bashku me biznesmen dhe sipërmarrës në të gjitha nivelet e këtij procesi.

Lajmi.net: Cila është vlera e pritshme e investimit?

Klientët tanë fillestarë planifikojnë të investojnë disa miliona dollarë, gjatë një periudhe kohore në fazën e parë të planit të tyre ekonomik. Ata do të krijojnë partneritet me individë në Kosovë, dhe do të përdorin këto fonde për të zhvilluar dhe filluar prodhimin dhe grumbullimin e mallrave, me qëllim që të rrisin numrin e njerëzve të punësuar por edhe përfitimet e kompanive të themeluara.

 Lajmi.net: Sa investitorë i përfaqësoni ju?

Aktualisht ne përfaqësojmë një ekip të investitorëve, të cilët kanë themeluar një organizatë që ka për qëllim të bërit biznes në Kosovë. Ata do të mbështeten nga një grup i madh investitorësh, të cilët kanë kontribuar financiarisht në përpjekjet për të eliminuar rrezikun dhe mundësitë. Ne do të kërkojmë investitorë tjerë në Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera, me qëllim të zgjerimit të madhësisë dhe aftësive të një pishine të investimeve dhe mundësive të cilat mund të financohen.

Lajmi.net: Pse keni zgjedhur Kosovën të investoni?

Investitorët që ne i përfaqësojmë kanë pasur pak a shumë një përvojë të njëjtë me atë që kam pasur unë gjatë punës në Kosovë. Para se të vija këtu, Kosova ishte një vend i largët që arriti të bëhet lajm kohë pas kohe në Shtetet e Bashkuara. Por, në fillim të gjatë viteve të punës sime në Kosovë, u dashurova në njerëzit e këtij vendi dhe më tërhiqte historia e saj, elasticiteti dhe aftësia për të parë përpara tragjedive dhe vështirësive të tilla. Populli i Kosovës është i zgjuar, mirë i arsimuar dhe i etur të arrijë sukses në botë. Gjithashtu jam befasuar nga dëshira e tyre për të pasur marrëdhënie të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Dua të shohë popullin e Kosovës duke bërë punë të mira. Dëshirojë ti shohë duke pasur sukses. Dhe dëshirojë të jem pjesë e kësaj përpjekje të rëndësishme.

Lajmi.net: Cilat janë përparësitë për të investuar në Kosovë?

Kosova është e bekuar që ka një popullatë kaq të re që është e zgjuar, ambicioze, punëtore dhe me vetiniciativë. Ka fuqi punëtore të mjaftueshme dhe relativisht të lirë. Qeveria e këtij vendi është duke hequr bllokadat burokratike për investime dhe zhvillim të biznesit, që ishin për instaluar për dekada të tëra. Gjatë viteve të fundit organizata të shumta kanë raportuar për Kosovën si një vend miqësor për biznes, në të cilin duhet investuar dhe zhvilluar mundësitë ekonomike.

Lajmi.net: A ka Kosova një klimë të pafavorshme për investime?

Jo, mendoj se klima e investimeve është në përgjithësi e favorshme. Por, ne duhet të jemi të sinqertë, se ka disa vështirësi. Së pari, Kosova është ende një vend me demokraci në zhvillim. Dhe, si një vend me demokraci të re, ekzistojnë ende gjurmët e sistemit të vjetër që duhet të hiqen. Strukturat burokratike dhe mentaliteti burokratik janë ende shumë të përhapura. Qeveria duhet të vazhdojë të ndjekë qasjen pro-biznes për ekonominë, dhe duhet ti shikojë njerëzit e biznesit si diçka pozitive në komunitetin lokal. Njerëzit e biznesit duan të jenë në gjendje të lëvizin shpejt, dhe ti përgjigjen forcave të tregut dhe nevojave të konsumatorëve. Ata nuk mund ta bëjnë këtë nëse qeveria u qëndron në rrugë. Qeveria dhe Kuvendi, duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përmirësuar ndërveprimet e tyre me bizneset, dhe duhet të lehtësojnë fillimin dhe zhvillimin e një biznesi në Kosovë.

Në të vërtetë, instalimi i respektimit, nderimit të sundimit të ligjit është gjithashtu një çështje kritike. Një nga përparësitë më të mëdha që Shtetet e Bashkuara kanë në botën e biznesit, është besimi se amerikanët dhe sistemi amerikan i drejtësisë do të veprojë me ndershmëri, dhe se askujt nuk do ti jep një avantazh të padrejtë dhe se vepron në përputhje me ligjin. Duke shikuar në një mënyrë tjetër, njerëzit që bëjnë biznes në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi mendojnë se ata do të kenë trajtim të drejtë dhe të ndershëm nga agjencitë qeveritare dhe nga sistemi gjyqësor. Dhe, Kosova gjithashtu duhet të zhvillojë një reputacion të tillë. Njerëzit e biznesit që dëshirojnë të investojnë në Kosovë, do të kërkojnë trajtim të drejtë dhe të ndershëm nga agjencitë qeveritare, dhe do të mbështeten në sistemin gjyqësor për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshje në mënyrë të drejtë, të shpejtë dhe me efikasitet.

Çështja e sundimit të ligjit ndërlidhet me çështjen e korrupsionit. Kosova ende ka një reputacion se është duke u rrënuar nga zyrtarët e korruptuar. Dhe ekziston një bazë për atë reputacion. Por unë e di se realiteti po ndryshon shpejt. Kam pasur privilegjin të njoh disa nga zyrtarët e juaj kryesor publikë, me të cilët kam diskutuar dhe kam parë shqetësimin e tyre real për ndershmëri dhe integritet në Qeveri. Gjithashtu kam punuar me prokurorë të cilët kanë qëndrime kundër korrupsionit publik, duke mos hezituar të ngritin akuza kur është nevoja. Kështu që e di se vullneti për të ndryshuar dhe përmirësuar ekziston atje.

Përveç kësaj, një nga përparësitë që unë mund të sjellë në procesin e punës dhe të bërit biznes në Kosovë, është reputacioni im që në asnjë mënyrë nuk do të tolerojë zyrtarët e korruptuar në qeverinë time, ose tuajën. Që Kosova të tërheqë investime të huaja – veçanërisht investime amerikane – njerëzit e biznesit duhet ta dinë se korrupsioni nuk do të tolerohet dhe se do të trajtohet në momentin që lind.

Lajmi.net: Cilat janë të metat/pengesat për të investuar në Kosovë?

Pengesat janë ato që i kam theksuar më lart: pengesat burokratike, respekti për sundimin e ligjit, dhe shqetësimet rreth korrupsionit. Por, unë jam optimist. Kam parë përmirësime në secilën prej këtyre fushave gjatë gjashtë viteve të fundit. Dhe siç kam thënë, jam ulur me udhëheqësit e juaj kohë pas kohe dhe i kam dëgjuar duke folur për qëllimet e tyre dhe mënyrat se si do ti arrijnë këto qëllime. Ata janë mendje hapur, të gatshëm të dëgjojnë dhe të veprojnë. Ata e shohin një të ardhme të ndritur si anëtarë të Bashkimit Evropian dhe si aleat të Shteteve të Bashkuara, dhe unë pajtohem me ta.

Dhe sapo të kaloni një kohë në Kosovë, dhe të njiheni mirë me njerëzit e këtij vendi të mirë, ju do të dashuroni këtë vend. Kosovarët janë të mrekullueshëm dhe besnikëria dhe respekti i tyre i bën njerëzit të kthehen në këtë vend kohë pas kohe, dhe kjo i bën njerëzit të dëshirojnë të punojnë me ju dhe të shijojnë suksesin në këtë vend. Pra, po, ka pengesa. Por ju duhet ti kapërceni ato. Dhe unë pres që të punojë me ju pikërisht në këtë drejtim. /lajmi.net