Lajme Shqip Wednesday, 28 August 2013 15:22

12 biznese private të cilat deri më tani kanë shfrytëzuar të drejtën e importit të deklarimit të mallrave me procedurë të lehtësuar pranë Doganës së Kosovës po protestojnë duke kërkuar heqjen e “Terminaleve Doganore” private të cilat janë licencuar nga data 01.08.2013.
“Nga data e 01.08.2013, pas Licencimit dhe autorizimit te dyshimtë të “Terminaleve Doganore’’ private , Dogana e Kosovës e ka pezulluar te drejtën tonë që edhe më tutje të deklarojmë me këtë procedurë të lehtësuar të deklarimit të mallrave, dhe nga ky pezullim i drejtës sonë, na kanë detyruar, që të ketë mallra, nga kjo datë të futen në terminale private dhe te paguajmë për çdo kamion shumen prej 40€ . Kjo shumë e detyrueshme për tu paguar, për ne është një haraç dhe shantazh i biznesit, të cilin e kanë vendos “Terminalet Private”, me ndihmën e institucionit Doganës se Kosovës”, thuhet në një njoftim për media të disa bizneseve.
Protesta e këtyre kompanive po vazhdon në pikën kufitare në Vermicë që nga dita e djeshme, derisa kanë njoftuar se nëse nuk do të marrin përgjigje nga Dogana e Kosovës, kanë paralajmëruar se do tu vënë flakën makinave të tyre.
Kërkesa për Doganat e Kosovës mbanë firmën e këtyre kompanive.
1. Besimi Commerc, Shtime
2. Capital Invest, Therandë
3. Armendi Fa, Istog
4. Jusaj Metal, Pejë
5. Diamanti, Istog
6. Ndërtimi, Deçan
7. Nderimi, Ferizaj
8. Metal Mix, Fushë Kosovë
9. Korabi, Prizren
10. Ardi-Com, Pozheran
11. Pofix, Lipjan
12. Dalmati, Therandë
Protestohet kundër barrikadave doganore me Shqipërinë
Përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova e Shqipëria po vazhdojnë protestën kundër masave dhe barrierave që Doganat e Kosovës po vendosin ndaj bizneseve të dy shteteve. Ata thonë se me këto masa po favorizohen prodhimet serbe.
“Po ju informojë që protesta do të vazhdojë dhe me erdhi informata që numri i makinave është rritur dhe po vazhdon të rritet. Thuhet se mbi 250 makina gjenden të bllokuara në këtë pikë kufitare”, thuhet në një njoftim të Këshillit Organizativë të Protestës.
Ndërkohë, dje protesta u zhvillu në mes të pikës kufitare që lidhë dy vendet tona, në Vermicë, ku u tha se Doganat e Kosovës po i detyrojnë kamionët dhe automjetet e bizneseve të dy vendeve të futen në terminale private për të paguar taksa enorme të larta dhe të jashtëligjshme.
Hyzer Gashi, përfaqësues i 150 bizneseve të Kosovës, ka thënë se në këtë protestë ka dalë për ta ngritur zërin që Doganat e Kosovës t’i heqin barrierat artificiale që i kanë ngritur dhe njëkohësisht ta heqin taksën prej 40 eurove.
Protestuesit kanë vënë edhe pankarta nëpër kamionët e tyre ku kanë shkruar, “Duhet ta mbajmë në fuqi metodën e thjeshtëzuar se ajo është treguar praktike dhe ka lehtësuar qarkullimin”, “Për shkak të barrierave qarkullimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë vetëm në muajin gusht ka rënë eksporti”, “Stop terminaleve private që kanë për qëllim plaçkitje të bizneseve për mbushjen e xhepave të njerëzve privat (Qeveritarëve)”, e të tjera. /Kosovapress/