Lajme Shqip Friday, 19 April 2013 11:52

Zvecan – (E plotësuar) Komunat serbe në pjesën veriore, po mbajnë një takim ku po diskutojnë për dialogun që po zhvillohet në Bruksel.

Kryetari ilegal i Zveçanit, Dragisa Milovic, ka thënë se askush nuk ka të drejtë të nënshkruaj marrëveshje me të cilën heq dorë nga Kosova. Sipas tij, marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë dhe interesat e qytetarëve në Veri.

Ai ka thënë se ajo që është ofruar nga BE, në raundin e nëntë të bisedimeve, është e papranueshme.

Milovic ka shtuar se ata që e prezantojnë si sukses faktin që serbët mund ta zgjedhin një komandant të policisë dhe të kenë Gjykatën e Apelit, që do të punojnë në bazë të ligjeve të Kosovës, nuk e njohin situatën në teren.

Gjatë kësaj mbledhje, në të cilën sipas mediave serbe, po marrin pjesë 92 këshilltarë që nga autoritetet e Kosovës konsiderohen ilegalë, pritet të miratohen edhe disa konkluzione dhe qëndrime rreth dialogut dhe marrëveshjes eventuale në Bruksel.

Marrëveshja nënshkruhet më 22 prill?

(E plotësuar) Marrëveshja në mes të Prishtinës dhe Beogradit, sipas burimeve të mediave serbe, të afërta me ekipin negociator serb do të mund të nënshkruhet ditën e hënë më 22 prill, nëse BE do të pranojë kushtet e kërkuara nga Beogradi.

Kurse sot mëngjes, ekipi negociator serb do të takojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Anders Fogh Rasmussen, nga i cili do të kërkojnë garanci për sigurinë e serbëve në veri të Mitrovicës.

ta do të kërkojnë garanci me shkrim se ushtria e ardhshme e Kosovës (FSK i tashëm) nuk do të sistemohet në veri të Kosovës. Takimi me përfaqësuesen e lartë të BE, Catherine Ashton do të nis në mesdite.

Raundi i ri i dialogut, sikurse cek burimi i afërt me delegacionin, serb do të përqendrohet veçmas në dy, nga 15 pikat e dokumentit të propozuar nga Ashton. Merret vesh se delegacioni serb ka marrë sigurime se pika 14 do të modifikohet sipas mënyrës që do të jetë e pranueshme për Beogradin, dhe ka shtuar se Serbia për pikën nëntë po kërkon që komandantin rajonal të policisë ta zgjedh Bashkësia e komunave serbe.

Qysh më herët është arritur marrëveshja që katër komunat serbe – Mitrovica veriore, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku të kenë komandues lokal të policisë kurse Bashkësisë së komunave nuk do tu shtohen njësi tjera komunale. Kjo praktikisht do të thotë se policinë do ta përbejnë serbët të cilët tash paraqesin 98 të popullatës në veri të Kosovës. Komanduesit lokal të policisë duhet të kenë edhe komunat tjera me shumë serbe në jug të Ibrit. Sipas burimit të njëjtë, Bashkësia e komunave serbe do të jetë ajo e cila do të propozojë dhe emërojë komanduesit rajonal të policisë.

Thuhet se dukshëm është përmirësuar propozim-marrëveshja edhe në fushën e gjyqësisë. Është parashikuar Gjykata e Qarkut në Mitrovicë dhe paralelet e ndara të asaj gjykate në të gjitha katër komunat. Ingerencat e Bashkësisë së komunave përfshijnë kompetencat mbi pjesën e sistemit te arsimit e të shëndetësisë si dhe mbi planifikimin hapësinor dhe zhvillimin ekonomik, dhe këto veprimtari financiarisht do të jenë të lidhura me Beogradin.

Mbi marrëveshjen me siguri deri të hënën do të deklarohet Qeveria dhe Kuvendi i Serbisë kurse të dielën edhe Këshilli qendror i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) më e madhe e pushtetit e drejtuar nga Vuçiq. Gjatë ditës së djeshme janë mbajtur konsultime gjithëditore të kreut më të lartë të shtetit ku raundin e shkuar e kanë analizuar presidenti Tomisllav Nikoliq dhe kryeministri e nënkryeministri Ivica Daçiq e Aleksandar Vuçiq. Ata kanë pasur edhe konsultime telefonike e kontakte direkete edhe me diplomatë evropian e amerikan.

Negociatorët serb kanë qenë të pakënaqur me futjen e pikës 14 në tekstin e marrëveshjes sepse, siç thonë, kjo temë deri më tash nuk ka qenë objekt i bisedimeve. Pika 14 ka të bëjë me anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk dihet nëse kjo do të modifikohet siç shpresohet në Beograd, me konstatimin se për këtë mbi kryeministrin Thaçi kanë ushtruar presion edhe SHBA.

Sot përballja e dhjetë Thaçi-Dacic

Sot në mesditë sërish pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic. Ky takim po vazhdon me ftesën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme të BE-së Catherine Ashton.

Ndërkohë, dje kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi së bashku me delegacionin që drejton, është kthyer nga Aeroporti i Lubjanës, për në Bruksel me qëllim të vazhdimit të bisedimeve me palën serbe rreth normalizimit të raporteve mes dy vendeve.

Delegacioni është kthyer me kërkesën e baroneshës Ashton ndërsa pala kosovare do të vazhdojë angazhimin për arritjen e marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal, dhe të proceseve integruese për të gjitha shtetet e rajonit, thuhet në një njoftim të lëshuar nga zyra e kryeministrit Thaçi.

Ndryshe në raundin e nëntë të bisedimeve Kosovë – Serbi, i cili zgjati mbrëmë deri pas mesnate, nuk u arrit marrëveshja e pritur dhe propozuar nga BE.

Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi pas takimit se pala kosovare e kishte pranuar në tërësi propozimin e zonjës Ashton por atë e kishte kundërshtuar ashtu si edhe herën e kaluar, kryeministri serb Dacic.

Një ndër 15 pikat e marrëveshjes ishte edhe ajo ku thuhet se te dy vendet nuk duhet të pengonin njëra – tjetrën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Kjo tha Dacic do të nënkuptonte pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë e cila nuk do të ndodhte. (KP/LajmeShqip.com)