Lajme Shqip Tuesday, 16 April 2013 17:50

Bruksel – Bashkimi Evropian e ka shtyrë publikimin e pritur gjatë të progresit të Serbisë dhe Kosovës, në synimet e tyre për lidhje më të afërta me bllokun, ka thënë sot komisionari për zgjerim, Stefan Fyle.

Ai e ka arsyetuar shtyrjen duke e theksuar rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga BE ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që do të mbahet nesër në Bruksel.

“Ne jemi të sigurt se ky dialog në nivelin e kryeministravedo të rezultoj me marrëveshje të qartë”, u tha Fyle gazetarëve në Strasburg, në margjina të seancës plenare të Parlamentit Evropian.

“Është koha për Serbinë dhe Kosovën që të lëvizin nga e kaluara”, tha ai dhe shtoi se çfarëdo “finale pozitive” nga bisedimet, do të “reflektoj” në raport, i cili u ndihmon vendeve anëtare të BE-së për të vendosur nëse Serbia dhe Kosova duhet të lejohen të ndërmarrin hapa të mëtejshëm në synimet për afrim me Bashkimin Evropian.(LajmeShqip.com)