Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 17:23

Prishtinë – Kosova dhe Serbia po tregohen të vendosura në zbatimin e marrëveshjes së arritur për normalizimin e marrëdhënieve reciproke, ka deklaruar të martën në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Suedisë,Carl Bildt.

Këto komente, Bildt i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Ai është shprehur optimist se Kosova dhe Serbia kanë nisur rrugën e tyre evropiane.
“Kam besim të plotë në përkushtimin tuaj që të ndërmerrni hapat për zbatim dhe jam shumë i inkurajuar me bisedat e zhvilluara në Beograd”, është shprehur Bildt, gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Thaçi, raporton REL.
Si rezultat i konstruktivitetit të treguar në dialog, Serbia ka marrë tashmë një afat kohor për nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse Kosova miratimin për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, për çka Bildt i ka përgëzuar të dyja palët.   
“Kjo është e rëndësishme për Kosovën, për Serbinë, por kjo dërgon një sinjal pozitiv edhe për gjithë rajonin se nëse jeni të gatshëm të bisedoni dhe t’i tejkaloni problemet nga e kaluara atëherë mund të lëvizni përpara. Kjo ofron mundësi të mira për zhvillim ekonomik e shoqëror për të ardhmen”, është shprehur Bildt 
Ndërkohë, kryeminikstri Hashim Thaçi ka thënë se Ballkani po pëson ndryshime të mëdha. Anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Evropian, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si dhe organizimi i zgjedhjeve të lira në harmoni me standardeve evropiane në Shqipëri, sipas Thaçit, janë mesazh i mirë për evropianizimin e Ballkanit.
Edhe këtë herë, Thaçi është zotuar se pala kosovare do të zbatojë marrëveshjen e arritur me Serbinë dhe do të tregohet e gatshme për të vazhduar dialogun.
“Ne do t’i kryejmë të gjitha obligimet tona që dalin në këtë proces implementues. Takimi tjetër mes dy kruyeministrave nën udhëheqjen e baroneshës Ashton më 8 korrik në Bruksel, ku do të diskutohen çështjet e telekomit dhe energjisë. Të njëjtën kohë do të vazhdojmë me agjendën tonë implementuese”, ka thënë Thaçi. 
Një nga sfidat më të mëdha të zbatimit të marrëveshjes të cilën kryeministri Thaçi e ka përmendur, ka të bëjë me organizimin e zgjedhjeve lokale edhe në komunat veriore.
“Ne po përgatitemi që gjatë kësaj vjeshte të organizojmë zgjedhjet lokale, në një ditë, për herë të parë me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve duke përfshi edhe serbët nga veriu, që pastaj të kemi lidershipin e atjeshëm legjitim”, ka thënë Thaçi.
Para Prishtinës, Bildt ka vizituar edhe Beogradin. Atje ai ka përgëzuar Serbinë për faktin që Këshilli Evropian ka miratuar hapjen e negociatave të anëtarësimit me çka i hapet rruga këtioj vendi për fazën finale të reformave dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

 

Bildt takoi edhe opozitën. Kjo e fundit është skeptike për zbatimin e Marrëveshjes

 

 

Diplomati suedez Carl Bildt ka takuar edhe liderët e opozitës kosovare, Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj, me të cilët ka biseduar rreth marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimit të saj në teren, raporton K.Press.

Liderët opozitarë thanë pas takimit se i shprehen skepticizmin e tyre rreth zbatimit të marrëveshjes dhe që sa më shpejt Kosova të integrohet në BE dhe të bëhet liberalizimi i vizave që qytetarët e saj të mos mbesin në geto.