Lajme Shqip Tuesday, 19 November 2013 11:41

Prishtinë- Hoxhë Fatmir Latifi kishte nisur ligjëratën e tij para faljes së xhumasë ashtu siç bënte gjithnjë. Ai para xhematit të tij në një të premte ndaloi t’i thotë dy fjalë edhe për politikën, edhe pse gjatë gjithë kohës potenconte se nuk i takon asnjë partie. Hoxhë Fatmiri, në vend të këshillave fetare filloi të bënte fushatë politike. Imami i xhamisë në Mitrovicë kërkoi nga qytetarët ta votojnë Avni Kastratin, kandidatin e PDK-së për kryetar të Mitrovicës. I thuri vargje për disa minuta rresht, duke e lavdëruar e duke thënë se Kastrati e ka udhëhequr mirë komunën.
Për lëvdatat e Hoxhës në të mirë të Kastratit reagoi Aleanca Kosova e Re (AKR). Kjo parti, e cila me kandidatin e saj Agim Bahtiri do t’i kundërvihet Kastratit më 1 dhjetor në balotazh, shpreh indinjatën për përfshirjen e hoxhës në fushatën zgjedhore. Ky hoxhë, i nxitur nga arsye të njohura për të, sipas AKR-së bën thirrje publike dhe përfshihet në politikë në kundërshtime të gjitha rregullat dhe njollos skajshmërisht rolin konstruktiv të Bashkësisë Islame të Kosovës nëpër të gjitha proceset që ka kaluar Kosova.

Në videon e postuar nëpër të gjitha mediet, hoxha fillimisht flet për mospërfshirjen e fesë në politikë, ndërsa vetëm pas pak në kundërshtim me fjalët e veta, duke “përbetuar në Allah”, kërkon që të votohet kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati./Tribuna/