Lajme Shqip Saturday, 29 June 2013 10:55

Tiranë – Ish – anëtari i kryesisë dhe ish-deputet i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj konfirmoi se është i gatshëm të kandidojë për postin e kryetarit të ri të selisë blu. 
Ai përmend se në vitin 2009, në Kuvendin e fundit të demokratëve, dorëzoi një kërkesë, përmes së cilës kërkoi zgjedhje përmes anëtarësisë, duke aplikuar procedurën e votimit “një anëtar-një votë”, raporton BW. 
“Ftesa e PD-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së përmes parimit ‘një anëtar-një votë’, natyrisht hapi rrugën për kandidimin e përfaqësuesve, intelektualëve të PD-së. Kjo kërkesë është paraqitur nga unë në Kuvendin e fundit të PD-së në vitin 2009 dhe më vjen mirë që është marrë parasysh nga kryesia e PD-së. Gjatë këtyre ditëve kam pasur shumë telefonata e mesazhe nga ish-themelues dhe anëtarë të PD-së, për të kandiduar për kreun e Partisë Demokratike, kërkesë të cilën unë po e shqyrtoj me seriozitet të madh. Në kushtet e vështira në të cilat ndodhet sot PD-ja dhe demokratët, dëshiroj të jap kontributin tim dhe të marr përgjegjësitë e mia. Në kohën dhe momentin e duhur do të marr vendimin e duhur, brenda afatit të përcaktuar nga kryesia e Partisë Demokratike”, – deklaroi Biberaj.