Lajme Shqip Sunday, 21 April 2013 11:50

TIRANE- Në një prononcim ekskluziv për ‘Gazeta Shqiptare’, analisti i njohur amerikan, Bernd J. Fischer, analizon paktin e fundit midis LSI dhe PS si dhe ngjarjet më të fundit në KQZ. Sipas tij, pakti PS-LSI konfirmoi edhe njëherë se politika shqiptare varet nga pushteti personal i një grushti politikanësh elitar.

“Ky akt në dukje i rastësishëm nga ana e Ilir Metës e vë theksin edhe njëherë tek natyra shumë personale e politikës Shqiptare. Nuk kishte ndonjë diferencë të dukshme në politikë apo ndonjë vizion politik të kundërt që çoi në këtë përçarje”, – thotë Profesori dhe Drejtori i Departamentit të Historisë në Universitetin e Indianës në Fort Wayne. Fischer mendon se LSI mund të fitojë më shumë në zgjedhjet e ardhshme nëse Ilir Meta largohet nga kjo parti duke e lidhur këtë me reputacionin e tij. Padyshim, partia e tij do të dilte më mirë në sondazhe nëse ai do të largohej.

Nëse Shqipëria do të ishte një shtet i bazuar në sundimin e ligjit, z.Meta do të ishte larguar nga politika shumë kohë më pare. Si rezultat i faktit se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ende vuan nga korrupsioni i shumëp-ërhapur, z.Meta vazhdon të jetë një lojtar i rëndësishëm dhe ai mund të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve të Qershorit”, – thotë ai. Së fundmi, ai komenton gjatë rreth heqjes së anëtarit të LSI nga “parlamenti i bindur i Berishës” duke e quajtur këtë “një tjetër goditje ndaj procesit elektoral në Shqipëri”. Ai nuk harron të thotë se ato që sot e ndihmuan qeverinë Berisha të dalë në breg do t’i humbin pozitat e tyre në qershor. (G.SH/LajmeShqip.com)