Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 07:37

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Konsullatën e Kosovës në Berlin, ka shpërndarë letërnjoftimet dhe pasaportat e para të Republikës së Kosovës, të lëshuara në këtë konsullatë, pas funksionalizimit të plotë të shërbimeve konsullore.

Ministri Hoxhaj e ka quajtur ditë të veçantë për Republikën e Kosovës dhe mërgatën kosovare funksionalizmin e plotë të shërbimeve konsullore, bëri të ditur sot MPJ.

Ministri Hoxhaj tha se 13 misionet konsullore të Kosovës në vende të ndryshme të botës, janë plotësisht funksionale dhe në shërbim të plotë të bashkatdhetarëve tanë për t’i pajisur me dokumente të ndryshme identifikuese dhe për t’i ofruar shërbime të tjera të nevojshme.

“Shumë shpejt punëtorëve të konsullatave të Kosovës do t’iu vijnë në ndihmë edhe ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, gjë që do të rrisë edhe më tej efikasitetin dhe nivelin e shërbimeve që do t’iu ofrohen bashkatdhetarëve tanë në mërgatë”, është shprehur Hoxhaj.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Vilson Mirdita, tha se nga sot konsullatat e Berlinit, Shtutgardit dhe Frankfurtit janë të gatshme të lëshojnë dokumente personale të Republikës së Kosovës për mërgimtarët kosovarë.