Lajme Shqip e Martë, 21 Gusht 2012 18:34

Tiranë – “Ne mbështesim fuqishëm përpjekjet për bashkëpunim midis forcave politike shqiptare dhe midis forcave politike të etnive të ndryshme në Maqedoni, si interesi më i mirë i paqes, stabilitetit dhe integrimit të saj”, u shpreh të martën Kryeministri Sali Berisha, pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Maqedoni, Menduh Thaçi.

Kryeministri Berisha i shprehu dhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta z. Thaçi për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferri, i cili, siç tha ai, “la një trashëgimi të shkëlqyer në mendimin politik shqiptar dhe në mendimin shqiptar në tërësi, trashëgimi, që do të frymëzojë shqiptarët në mbrojtjen e idealeve dhe interesave të tyre”. 

Duke u informuar nga z. Thaçi mbi zhvillimet e fundit atje, Kryeministri Berisha e garantoi kryetarin e PDSH-së se për “qeverinë shqiptare avancimi i mëtejshëm i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është dhe mbetet një përparësi madhore, sikundër paqja dhe stabiliteti i këtij vendi, kanë një rëndësi kryesore”.

Nga ana e tij z. Thaçi e informoi kryeministrin shqiptar mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, për përpjekjen e PDSH-së që të vendosë ura bashkëpunimi me forca politike qoftë shqiptare, qoftë maqedonase, të cilat do ta përshpejtojnë procesin integrues të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Është një brengë e përbashkët, jo vetëm e PDSH-së, por e të gjithë dashamirësve të Maqedonisë, që ky proces duhet të ecë. Ashtu si edhe më parë e garantova kryeministrin se PDSH do të udhëheqë një politike të drejtë këmbëngulëse shqiptare dhe gjithmonë konstruktive në vijim të procesit demokratik dhe procesit rajonal që zhvillohet për ta integruar gjithë Ballkanin në BE dhe në NATO”, u shpreh kryetari i PDSH-së. (LajmeShqip.com)