Lajme Shqip Tuesday, 07 August 2012 14:56

Tiranë -Një ditë pas dështimit të votimit për kufizimin e imuniteit të deputetëve e zyrtarëve të lartë në Kuvend, sot në mbledhjen e qeverisë, Berisha kërkoi që nisjen e procedurave për një Referendum mbi cështjen e imunitetit.

Kreu i qeverisë i kërkoi këshilit legjislativ të parlamentit të përpunojë një platformë për ndjekjen e hapave të mëtejshme me qëllim realizimin e referendumit. Berisha deklaroi gjithashtu se referendumi popullor për heqjen e imuniteteve është përpjekja e re e madhe për një nivel të ri transparence në politikën shqiptare, i domosdoshëm për standardet europiane, por edhe për standardet e një vendi të qytetëruar.

“Pas 10 vitesh përpjekjesh të ndershme, të bëra në opozitë dhe në qeverisje, pasi u pranuan një për një të gjitha propozimet e PS-së, me qëllimin më të mirë që vendimi për heqjen e imunitetit të ishte një vendim konsensual, dhe megjithëse socialistët në seancën e parlamentit, në komisionin e Integrimit, në marrëveshjen e muajit nëntor, në të gjitha rastet kishin mbështetur heqjen e imunitetit, si një kërkesë kryesore për statusin e vendit kandidat, por dhe si kusht për një nivel të ri trasparence, z. Rama dhe klubi i miliarderëve nuk pranuan dje që të votonin atë projektligj të përgatitur në çdo nen, në çdo gërmë në konsensus të plotë dhe me propozimet e PS-së”, tha Berisha.

Sipas kryeministrit, do të jenë institucionet përkatëse që do të caktojnë kohën e mbajtjes së Referendumit popullor. Por ashtu si dje edhe sot Berisha drejtoi serish gishtin nga kreu i PS, Edi Rama duke e akuzuar se me qëndrimin dje për imunitetet, bllokoi murin e korrupsionit dhe statusin e vendit kandidat të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Rama dje mori përsipër një përgjegjësi të paimagjinueshme duke i thënë Europës se unë nuk pranoj heqjen e imunitetit. Me fjalë të tjera unë do e mbaj këtë mur si një mur korrupsionit. Dje ai vendos bllokimin e murit të korrupsionit dhe bllokimin statusit të vendit kandidat”. 

“Zyrtarët e BE na thanë: ‘bëhuni burra dhe tregoni se nuk keni frikë nga vetja juaj, hiqni imunitetin’. Shqiptarët tashmë do shprehen me referendum popullor, pavarësisht vështirësive, referendumi do bëhet sipas Kushtetutës, ndaj këshilli Legjislativ i Parlamentit të hartojë platformën për referendumin”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, kryetari i Partisë Socialiste dhe grupi i miliarderëve që drejtojnë partinë e tij, nuk lejuan grupin parlamentar të rrëzojë murrin e korrupsionit që rëndon çdo ditë mbi shpatullat e qytetarëve, më rëndë se pallatet e klubit të miliarderëve.

Kryeministri theksoi se vendosmëria është e plotë për të ecur drejt konsultimit, pasi qytetarët do vendosim nëse zyrtarë do mbajnë apo jo imunitet me referendum. (LajmeShqip.com)