Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 10:13

Tiranë – Në vijim të qëndrimit të tij në Bruksel, Kryeministri Berisha mori pjesë edhe në punimet e Samitit të Partive Popullore Evropiane (PPE).

Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, pas Samitit, u mbajt sesioni akademik me rastin e 35 – vjetorit të themelimit të PPE-së dhe gjatë këtij aktiviteti Kryeministri Berisha zhvilloi takime e biseda me Kancelaren gjermane Angela Merkel, me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, me Presidentin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, me Kryeministrin hungarez Viktor Orban, me Kryeministrin e Belgjikës Yves Leterme, me Kryeministrin e ri të Portugalisë Pedro Passos Coelho, me Kryeministrin e Irlandës Enda Kenny, Kryeministrin e Finlandës Jyrki Katainen, Kryeministrin e Suedisë Fredrik Reinfeldt, me zëvendëskryeministrin e Danimarkës Lars Barfoed.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta edhe me Presidentin e PPE-së, Ëilfried Martens, me zv/Presidentin e Komisionit Evropian, Antonio Tajani, me kryetarin e grupit parlamentar të PPE-së, Joseph Daul, me Presidentin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek.

Pas takimeve Berisha u shpreh se “Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme, 35 – vjetori i themelimit të forcës promotore që ndërtoi Evropën, Partisë Popullore Evropiane, e cila me vlerat që mbrojti dhe zhvilloi u shndërrua në një faktor përcaktues të përmbysjes së perdes së hekurt dhe të lirisë së kombeve të shtypura nga diktaturat totalitare. Ishte themelimi i Partisë Popullore Evropiane, që mund të konsiderohet themelimi i dytë i Bashkimit Europian. Pasi të gjitha ngjarjet e mëdha, nga Traktati i Nicë-s tek Traktati i Lisbonës, Nga Traktati i Mastrit tek çdo zhvillim tjetër madhor qëndron prapa Partia Popullore Evropiane, korifenjtë e kësaj partie, Helmut Kohl, Zhak Santer, aktualisht janë drejtuesit kryesorë si Angela Merkel. Por figurë qëndrore e të gjithë sukseseve të Partisë Popullore Europiane mbetet Ëilfried Martens, i cili mund të konsiderohet si lideri legjendar i kësaj force politike që sot grupon 75 parti të 39 vendeve dhe 17 kryeministra.

“Në Samitin që sapo përfundoi u ulën 17 kryeministra të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Nga qytetarët e Europës ka një pasion të madh për qendrën e djathtë, për programin e saj. Ka besim të palëkundur te kapacitetet e gjithanshme të këtyre forcave politike për t’u përballur me krizën më të egër që Europa ka njohur që nga vitet ’30 të shekullit të shkuar. Pra ngjarja ishte frymëzuese, emocionale”, vijoi Berisha.

Ndërkohë Berisha foli edhe në lidhje me situatën paszgjedhore në Shqipëri dhe për përfundimin e numërimit të votave të hedhura gabim.

“Pata rastin të informoja gjerësisht bashkëbiseduesit e mi për transparencën absolute të numërimit dhe të nxjerrjes së çdo vote në televizion. Diskutuam gjerësisht. I njoha me vendimet e Kolegjit Zgjedhor, me zbatimin me përpikmëri të këtyre vendimeve dhe provën e shkëlqyer në të cilën kaloi shteti ligjor. Garat e ngushta, për çdo vend dhe demokraci, janë para së gjithash provë e shtetit ligjor. Mendoj se shteti ligjor në Shqipëri dëshmoi funksionalitet të plotë, dëshmoi maturi të plotë. Natyrisht, nuk mund të mohohet gëzimi që krijoi tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi lajmi që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u bë blu. Pra në hartën e fitoreve të qendrës së djathtë në Evropë u shtua fitorja e qendrës së djathtë në Shqipëri në tërësi dhe fitorja në Tiranë në veçanti.

Ndërkohë, teksa Evropa po zhvillon diskutime për krizën greke, Berisha ka folur mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare.

“Ekonomia shqiptare në të gjitha vlerësimet nuk ka njohur dhe nuk do të njohë recesionin. E vërteta është që kriza aktuale e borxheve, le ta quajmë kështu, është një krizë shumë problematike. Një krizë, e cila në Samitin që sapo përfundoi mori një pjesë të gjerë të diskutimit. Por shqiptarët dhe Shqipëria, në sajë të modelit ekonomik të aplikuar nga qeveria, janë tërësisht jashtë krize. Në rast se këto do të kishin qenë biseda të hapura, ju do të dëgjonit kryeministra të raportonin se “shkurtuam rrogat me 25 për qind”. Këtë e deklaronin për t’ia ofruar si model kolegut tjetër që kish probleme. Ata raportonin se “duhet të ulen pensionet në këtë masë, se duhen shkurtime të tjera shumë të dhimbshme”. E vërteta është se kjo krizë ka imponuar shkurtimet më të dhimbshme të shpenzimeve të njohura ndonjëherë. Sikundër, edhe rritje të madhe të taksave. Edhe kjo është po kaq e dhimbshme”, tha Berisha.

Sipas tij, “fatmirësisht Shqipëria po performon në mënyrë të qëndrueshme. Ka pasur vitin e kaluar një rritje prej 4 për qind, këtë vit kemi parashikuar një rritje prej 5 për qind. Pra mund të themi se projektet e qeverisë në transformimin e infrastrukturës, në konsolidimin e një sistemi arsimor që të mbështesë fuqishëm ëndrrën e shqiptarëve për një Shqipëri të zhvilluar, projektet e Shqipërisë në moshën dixhitale, projektet e mëdha kombëtare për shndërrimin e Shqipërisë në kopshtin më të bukur të Europës, që po ndodh çdo ditë, vazhdojnë të subvencionohen në mënyrë të pandërprerë”.

“Gjatë Samitit, pata rastin të bisedoj me të gjithë të pranishmit, si për zhvillimet, ashtu dhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë, për përpjekjet e qeverisë për Shqipërinë vend të zhvilluar në vitin 2017″, theksoi Berisha.

Ndërsa në lidhje me 16 ligjet që kërkojnë 3/5 e votave, të cilët nuk janë miratuar në Parlament, çka ka frenuar edhe reformat e integrimit, si pasojë e bojkotit të Parlamentit nga opozita, Berisha u shpreh se “përdorimi i fuqisë dhe i pushtetit që të kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar dhe jo për të votuar, sigurisht që ka një çmim për vendin, por çmimin më të madh e ka për atë që e përdor në këtë mënyrë”.

“Uroj dhe dëshiroj që në ofertën e bërë nga qeveria edhe para 3 ditësh, dhe që sërish do të përsëritet, opozita të përfitojë për të dhënë kontributin e saj real në proceset e integrimit. Shteti ligjor është kushti më themelor për funksionimin e një shoqërie të lirë, është kushti më themelor për veprimtarinë normale të një opozite, por është njëkohësisht dhe kushti i të gjitha kushteve për suksesin e reformave. Ndaj në kuadrin e këtij parimi të madh mendoj se të gjitha zgjidhjet janë të mundshme. Opozita është e ftuar të bëj të gjitha amendamentet. Opozita është e ftuar të bëjë të gjithë propozimet e të gjitha kandidaturave që janë më 3/5. Uroj dhe dëshiroj që ta lexojnë mesazhin siç duhet”, tha Kryeministri Berisha.

Në lidhje me faktin se opozita pritet të ankimojë rezultatin e Tiranës, Berisha u shpreh se ky fak nuk e shqetëson aspak.

“Opozita dhe çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës. E rëndësishme është që duhet t’i shprehim besim gjykatës dhe jo një vendim që na pëlqen e duartrokasim, vendimin tjetër që s’na pëlqen e anatemojmë. Opozita dhe kushdo ka të drejtë t’i drejtohet, në përputhje me ligjin. Kjo është normale”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.