Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 16:07

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur sot, për ngritjen e një komisioni shtetëror, i cili do të angazhohet për përgatitjen e vendit për kremtimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, shefi i qeverisë e cilësoi 100-vjetorin e pavarësisë, si ngjarjen më të madhe në historinë kombëtare të shqiptarëve.

Ai u shpreh se, kjo ngjarje duhet të festohet në mënyrën më dinjitoze dhe me të gjithë angazhimin e merituar për një kremtim sa më të qytetëruar.

Duke kërkuar që festimet për 100-vjetorin e pavarësisë të shqyrtohen dhe të trajtohen në të gjitha rrafshet, Berisha theksoi se “duhet të shkruhet në muret e kohës, nderimi që i bëhet shtetit 100-vjeçar shqiptar”.

Sipas tij, 100-vjetori kërkon nderim në të gjitha rrafshet, në atë historik, kulturor, shkencor dhe artistik.

“Për të kremtuar me dinjitet ngjarjen më madhore do të krijohet një komisionin shtetëror, i cili do të ketë në përbërje përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme, por edhe përfaqësues të shquar nga të gjitha vendet, si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora”, theksoi Berisha.

Ai verësoi rolin dhe angazhimin që ka luajtur diaspora në pavarësi, pasi po t’i referohemi shtypit të kohës, kryengritjet e shqiptarëve për pavarësi kanë patur pasqyrimin më të madh në shtypin botëror.

Duke e cilësuar pavarësinë e Shqipërisë si vepër mbarëkombëtare, shefi i qeverisë vuri në dukje se “në përgatitjet për kremtimin e pavarësisë së Shqipërisë do të angazhohen ministri, agjenci të shumta dhe institucione kërkimore”.

“Është e domosdoshme që kjo periudhë të shërbejë për një ridimensionim të plotë të qëndrimeve ndaj etërve të pavarësisë të cilët në tërësinë e tyre, përveç Ismal Qemalit dhe Isa Boletinit, të tjerët, pothuajse u bënë të paqenë nga regjimi hoxhist”, nënvizoi Berisha.

Më tej, kreu i ekzekutivit e cilësoi më rëndësi që historia, me vërtetësi, të rivlerësojë veprën e tyre të madhe, ndërsa theksoi se në kuadër të kësaj dite janë marrë edhe dy vendime të rëndësishme, siç është ndërtimi i Parlamentit dhe stadiumit të ri.

“Nuk mund të kishte vendim më të drejtë se sa ndërtimi i tempullit të demokracisë, parlamentit më modern në Europë. Vendimi tjetër është edhe ndërtimi i stadiumit të ri të Tiranës, i cili duhet të pasqyrojë dhe gërshetojë traditën, por edhe format më bashkëkohore të arkitekturës së stadiumeve”, përfundoi kryeministri Sali Berisha.