Lajme Shqip Tuesday, 30 July 2013 14:29

Tiranë – Pas deklaratës së një dite më parë të kryeministrit të zgjedhur Edi Rama, në lidhje me rimëkëmbjen ekonomike, vjen edhe reagimi i Sali Berishës.

Kryeministri në detyrë ka komentuar deklaratat e Ramës për financat publike duke thënë se Rama dëshmon padije në ato që thotë.

“Në fletë rrufenë e tij për financat “piktori” dëshmon padije, vrer dhe injorancë totale në çdo fjalë dhe frazë të tij. Për çdo njeri që njeh abc-në e financave publike është e qartë si drita e diellit se në financat publike të Shqipërisë çdo qindarkë hyn nëpërmjet bankave dhe vetëm bankave dhe çdo qindarkë shpenzohet nëpërmjet thesarit dhe vetëm thesarit, i cili mund të kontrollohet on-line nga çdo qytetar”, komentoi Berisha në Facebook.

Sipas Berishës Rama i ngatërron financat me ngjyrat mavi, ndërsa shton se “Për Shqipërinë dhe për çdo vend tjetër të lirë të botës, përfshirë këtu dhe SHBA, prodhimi i brendshëm, borxhi publik dhe tregues të tjerë kryesorë fiskal ekonomike përllogariten dhe publikohen së paku një herë në vit nga Banka Botërore, FMN dhe për vendet europiane edhe nga Komisioni Europian. Por “piktori” financat i ngatërron me ngjyrat mavi, zymtësi dhe vrer. Ai i lexon ato si Ungjillin sipas Canit (Çimit) apo Kuranin sipas Cacit. Prisini, prisni, ky është ndryshim!! Padije, vrere dhe urrejtje në veprim”, përfundon Berisha.