Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 12:26

Tiranë – “Ibrahim Rugova me veprën e tij, me mendjen e tij të ndritur, me përkushtimin e tij të plotë, guximin e jashtëzakonshëm, bëri të mundur që shqiptarët të vijnë në këtë 100 vjetor të Pavarësisë, kryelartë, kenarë, të lirë, të sigurtë në të ardhmen që meritojnë”, u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha në ceremoninë e emërtimit të një prej rrugëve qendrore të Tiranës “Ibrahim Rugova”.

Kryeministri theksoi se “Ibrahim Rugova është arkitekti i Kosovës së pavarur dhe sot çfarëdo nderimi të shprehim ndaj tij nuk mund të arrijmë mirënjohjen që ai meriton”.

“Shprehim nderimin ndaj burrit vizionar, që u dha nder shqiptarëve më shumë se kushdo tjetër. Presidenti Rugova është themeluesi i partisë së parë pluraliste në Ballkanin e diktaturave komuniste. Është frymëzuesi, organizatori i lëvizjes paqësore më të pashembullt në historinë e shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera europiane”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, “një seri kombesh, pas luftrave njohën ndarje dhe coptime, por historia fakton se vetëm ne shqiptarët ia dolëm dhe ia dolëm para së gjithash dhe mbi të gjitha se ne nxorrëm burra vizionarë si Ibrahim Rugova. Nxorrëm komandantë legjendarë, të cilët vendosën kulme me rezistencën, heroizmin për liri të kombit të tyre si, Adem Jashari”.

“Sot ne nderojmë kujtimin e Presidentit Rugova në këtë rrugë dhe në një ditë të madhe në historinë e kombit shqiptar, më të madhen pas Pavarësisë së Shqipërisë, por ndoshta dhe ditën më të ndritshme në tërë historinë e shqiptarëve që nga luftrat e Skëndërbeut deri sot, ditën e Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha,  i cili shtoi se “Pavarësia u arrit, u ndërtua mbi gjakun, flijimin e jetëve të sakrifikuara të qindra e mijëra shqiptarëve në Kosovë gjatë këtij shekulli, që u arrit me forcën, ngadhënjimin, triumfin e ideve të Ibrahim Rugovës, pavarësia që i bëri të lirë shqiptarët kudo që ndodhen”.

“Ne nderojmë sot Presidentin Rugova, këtë vizionar të pashembullt të kombit tonë në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ndaj dhe një herë do të përulem me nderim të madh para veprës së këtij burri mendjendritur, këtij misionari të pashoq në historinë tonë kombëtare, arkitektit të Kosovës së Pavarur”, përfundoi Kryeministri Berisha. (LajmeShqip.com)