Lajme Shqip Thursday, 09 May 2013 14:27

Tiranë – Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e ka cilësuar Ditën e Evropës si ditën e mirënjohjes që shqiptarët kanë ndaj vendeve të BE-së.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Berisha sërish ka akuzuar kreun e opozitës se ka bllokuar ligjet e kërkuara nga BE për marrjen e statusit kandiat.

“Problemi i statusit, edhe ai kalon në reforma të mëdha. KE doli në konkluzionin se Shqipëria ka plotësuar detyrimet e saj dhe do i rekomandojmë Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare t’i japë statusin e vendit kandidat, me kusht që të miratohen 3 ligje. Për këto tre ligje ishte arritur totalisht ujdia me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të komisionit. Ishte arritur ujdi e plotë. Askujt nuk mund t’i shkonte mendja se këto tre ligje që prisnin prej disa muajsh në parlament dhe për të cilat ishte arritur konsensusi, në mënyrën më paradoksale dhe të papranueshme këto ligje nuk u votuan dhe u mor peng një pasaportë e shkëlqyer për secilin prej nesh, siç ishte statusi i vendit kandidat. Pasojat, shtimi i ndjeshëm i investimeve, grante të gjitha të Komisionit evropian në Shqipëri.”-u shpreh kryeministri Berisha, raporton BË.

Berisha theksoi se thirrja e referendumit “ishte një masë ekstreme dhe se mazhoranca ka gatishmërinë t’i votojë 3 ligjet sa më parë që të jetë e mundur”.