Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 12:59

Tiranë – Pak orë përpara vendimit të Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet e Tiranës, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se mazhoranca do të respektojë çdo vendim të insitucioneve ligjore, pavarësisht formës që ajo do të ketë.

Shefi i qeverisë i bëri këto deklarata gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij hungarez, Viktor Orban, vendi i të cilit mban edhe presidencën e radhës së Bashkimit Evropian.

Kryeminsitri Berisha tha se pavarësisht vendimit të kolegjit zgjedhor, mazhoranca i qëndron vendimit të saj për të numëruar çdo votë të qytetarëve, pasi kjo, tha ai, është një e drejtë që respektohet nga të gjitha vendet me demokraci të konsoliduar.

Edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, iu përgjigj interesit të gazetarëve për numërimin e votave të hedhura në kuti të tjera. Sipas tij, procedura është fare e thjeshtë. Duhet të numërohet çdo votë dhe, në fund, të respektohet vendimi i insitucioneve ligjore.

Hungaria, si presidente e radhës e Bashkimit Evropian, mbështetë integrimin sa më parë të Shqipërisë në BE. Sipas kryeministri hungarez, asnjë lloj energjie e kanalizuar drejt plotësimit të kërkesave të BE-së nuk është kohë e humbur. Orban u shpreh se, ashtu siç Shqipëria ka nevojë për Europën, edhe kjo e fundit ka nevojë për Shqipërinë dhe bukuritë e saj natyrore.

Kryeministri hungarez përgëzoi homologun shqiptar Berisha për arritjet e mëdha, siç tha ai, në rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Ndërkohë, shefi i qeverisë shqiptare shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë nga Hungaria në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe deklaroi se Tirana zyrtare kërkon që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE të bëhet vetëm mbi bazën e meritës së arritjeve të saj.