Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 15:30

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje sot opozitës dhe të gjitha forcave politike në vend që të propozojnë amendimet për reformën zgjedhore dhe t’i dërgojë ato në Komisonin e Venecias si dhe tek OSBE/ODIHR-i .

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, shefi i qeverisë u ndal në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg ku, sipas tij, ata kërkojnë nga forcat politike në vend, respektimin e plotë të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura të tij.

“Takimi i sotëm në Luksemburg është një thirrje në interesin më të mirë të çdo qytetari të këtij vendi dhe të çdo force politike si dhe një ofertë e rëndësishme në mënyrë që procei i integrimit të vendit në BE të ecë me ritmet e merituara”, nëvizoi kryeministri.

Duke u shprehur që ky takim duhet të lexohet një lloj nga të gjitha forcat politike të vendit, Berisha garantoi partnerët ndërkombëtarë se qeveria do të bëjë gjithçka për funksionimin e shtetit ligjor.

Duke iu referuar situatës post-zgjedhore, kreu i ekzekutivit vuri në dukje se ajo çfarë po ndodh është dëshmi e palëkundur e funksionimit të shtetit ligjor.

“Presim përfundimin e këtij procesi në kuadër tërësor institucional, sikundër garantojmë plotësisht opozitën se jemi të angazhuar për një hapësirë të plotë të reformës zgjedhore, për t`i dhënë përparësi propozimeve të saj për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, deklaroi shefi i qeverisë.

Në këtë kuadër, Berisha ftoi opozitën që të miratojë amendimet dhe t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe në departamentin e OSBE/ODIHR-it dhe kjo maxhorancë do t’i miratojë pa asnjë kusht dhe koment.

“Mendoj se kjo është fryma e kompromisit maksimal që i shërben vëndit”, tha kryeministri, ndërsa shprehu angazhimin maksimal të qeverisë për bashkëpunimin në kuadrin kushtetues me opozitën.

Berisha ripërsëriti angazhimin e qeverisë për një sistem të pakontestueshëm të votimit dhe numërimit elektronik, e cila, sipas tij, do ishte përgjigja më e shkëlqyer e disa diskutimeve të panevojshme.

“Qeveria është e gatshme të vendosë sistemin më të sigurtë dhe më të mirë elektronik që ekziston në ndonjë vend në të 4700 qendrat e votimit. Kjo do bëjë të mundur që për Shqipërinë të votojnë qindra mijëra emigrantë shqiptarë, aksionerë me kontribut themelor në zhvillimin e ketij vendi”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, votimi elektronik është 100% i mundshëm dhe kërkon vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike për ta zbatuar atë, duke e mbështetur këtë me rrugën e mirë që ka bërë depërtimi i internetit në vendin tonë.

“Ne kemi të gjitha mundësitë ta shtrijmë atë në çdo qendër votimi të këtij vendi. Uroj dhe dëshiroj që opozita të shqyrtojë me seriozitetin më të madh këtë ofertë, edhe në kuadrin e mbledhjes së sotme të ministrave të Jashtëm të BE, jam i bindur se është interesi më i mirë i çdo force politike të angazhohemi me vepra e jo fjalë për të adresuar çdo problem që lind në mënyrën më transparente”, nënvizoi kryeministri.

Gjithashtu, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të deputetes kosovare Nekibe Kelmendi dhe ftoi deputetët të mbanin një minutë heshtje në nderim të saj.