Lajme Shqip Friday, 12 October 2012 11:57

TIRANE (PLOTESUAR 12 TETOR, 15:30)- Kryeministri i vendit Sali Berisha në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në të gjitha trevat shqiptare sëbashku me autoritetet më të larta të Kosovës, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së shtatores së patriotit shqiptar Ali Ibra (Neza) në Gjakovë në qendër të këtij qyteti. 

Ndërkohë, në mesditë axhenda e  kryeministrit shqiptar u zhvendos në Deçan, ku mori pjesë në përurimin e shtatores së Isa Boletinit si dhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit.

BERISHA NDEROHET ME TITULLIN ‘QYTETAR NDERI’ I DEÇANIT
Ora 14:00 Kryeministri Sali Berisha, në vijim të vizitës së tij sot në Kosovë, ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit të bustit të heroit Ia Boletini, në fshatin Isniq, të komunës Deçan.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha e cilësoi inagurimin e bustit të Isa Boletinit si një ngjarje të madhe për Kosovën, për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo ku janë. 

“Sot ne inaugurojmë shtatoren e tij këtu në Isniq, vendin që shërbeu për Isa Boletinin si toka për Anteun, vendin ku ai merrte fuqi dhe frymëzim për betejat e tij të mëdha për Shqipërinë dhe për Kosovën. Sot me këtë gjest i kthejmë burrit të madh të kombit një copëz të nderit të madh që na la mbrapa, të nderit që la për çdo shqiptar”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij. 

Ai theksoi se ishte Prizreni dhe Kosova që mblodhi shqiptarët nga të gjitha trojet me frymëzimin e vendosmërinë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.
“Pas Kongresit të Berlinit vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e shqiptarëve si nocion politik dhe më pas asgjësimin e tyre tërësor, por kjo nuk ndodhi se pas Lidhjes së Prizrenit u mblodh Beslidhja e Pejës dhe më pas ishin kuvendet e shumë burrave e trimave të tjerë, që tronditën ‘të sëmurin e Bosforit”, u shpreh Berisha. 

Kryeministri vlerësoi luftën heroike të Kosovës, si edhe progresin e saj gjatë këtyre viteve. “Lufta e Kosovës ishte një luftë heroike. Kosova ka ndërtuar më shumë se çdo vend tjetër në këto pesë vite shtet”, u shpreh kryeministri. 

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Berisha u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit, dhënë nga këshilli komunal, ndërsa nderoi kujtimin e luftëtarëve të UÇK-së në memorialin kushtuar UÇK-së, në Gllogjan. Ai zhvilloi një vizitë në familjen Haradinaj, si dhe vendosi buqeta me lule edhe pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj dhe Sali Çeku.

JAHJAGA: ISA BOLETINI, PRIJËS I PËR LIRI
Presidentja e Kosovës, Atifiete Jahjaga, vlerësoi sot se “Isa Boletini ishte prijës i kryengritjeve shqiptare për liri dhe pavarësi dhe për ta bërë Shqipërinë shtet të përparuar dhe demokratik”. Këto komente ajo i bëri me rastin e zbulimit të shtatores së Isa Boletinit, në Isniq të Deçanit.

“Eshtë nderim për brezin tonë që po i respektojmë të parët tanë, që po e vlerësojmë sakrificën e bërë ndër shekuj për ruajtjen dhe zhvillimin e kombit tonë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale”, tha mëtutje Atifete Jahjaga.

Sipas saj, Isa Boletini, “së bashku me ideologun e pavarësisë, Hasan Prishtina, dhe me babanë e shtetit, Ismail Qemajli, dhe me shumë atdhetarë dhe intelektualë të brumosur dhe me idetë atdhetare dhe me idetë përparimtare të Evropës, e vunë në lëvizje historinë, i kthyen sytë e botës kah shqiptarët”.(LajmeShqip.com)

***************************************

TIRANË – Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një vizitë në Gjakovë, në Kosovë në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në të gjitha trevat shqiptare. 

GJAKOVË, PËRUROHET SHTATORJA E ALI IBËR NEZA
Ora 10:00
Kryeministri Berisha i shprehu Kuvendit Komunal të Gjakovës falënderimin për ftesën për të marrë pjesë në nderimin e një prej figurave të shquara të kombit shqiptar, të periudhës së Lidhjes së Prizrenit, Ali Ibër Nezaj, shtatorja e të cilit, vendoset sot, në qendër të Gjakovës.

“Në historinë tonë të gjatë ne, shqiptarët, nuk kemi ngjarje tjetër më kryesore e më frymëzuese se Lidhjen e Prizrenit. Ndaj gjithnjë nderimi në krye të radhës u takon atyre burrave që u mblodhën në Prizren, si shenjë e bashkimit kombëtar dhe e përpjekjes së përbashkët kombëtare për liri e dinjitet. Ali Ibër Nezaj, me burrat e tjerë të shquara të të gjitha trojeve etnike shqiptare, në një përpjekje mbinjerëzore ndezën luftën e shqiptarëve për liri, por, mbi të gjitha, dritën e bashkimit të kombit shqiptar”, tha Kryeministri Berisha.

Sipas kreut të qeverisë, Lidhja e Prizrenit ka mesazhin e përjetshëm të bashkimit të shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet, ndërkohë apeloi që të vijohej puna për bashkimin e shqiptarëve në Europë.

“Ne sot jemi të lirë dhe po në këtë frymëzim, ne ecim të bashkuar drejt një qëllimi të madh, integrimit tonë në Bashkimin Europian. Sikundër, siç është provuar në mënyrën më të përsëritur, në çdo rrethanë, ne jemi një dhe do të mbetemi një komb. Ne kemi pësuar gjatë historisë, padrejtësi ndër më të mëdhatë. Atëherë, kur ishim kombi më i madh i Ballkanit, u vërsulën mbi ne barbarisht, por, ne prapë sot jemi të lirë e të vendosur të qëndrojmë të lirë në trojet tona, të vendosur të punojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për bashkimin tonë, në të gjitha vlerat e mëdha të kombit e të Europës”, theksoi Kryeministri Berisha. . ”, theksoi kreu i qeverisë shqiptare.(LajmeShqip.com)