Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 11:47

Tiranë – Kryeministri në ikje Sali Berisha ka paralajmëruar kundërshtarin e tij politik Edi Rama se nëse nuk bëhet transparencë e plotë mbi rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, PD nuk do e njohë mazhorancën e re.

Në një prononcim për gazetarët para votimit për kreun e ri të PD, Berisha tha se ai e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve ende pa u certifikuar nga KQZ, teksa ka theksuar se do mbrojë vullnetin e shqiptarëve nga falsifikimi i votave dhe vjedhja me para dhe nën kërcënimin e armëve. 
Berisha këtë e ka paralajmëruar edhe nëpërmjet një mesazhi në Facebook ku ai shkruan: 
“Të dashur miq, rinumërimi i fletëve të votimit dëshmoi se karteli i drogës që erdhi në pushtet me zgjedhjet e 23 qershorit ka vjedhur me dhunë, terror e para të pista 1200 vota vetëm në qarkun e Lezhës dhe tani, po me dhunë, terror dhe para te pista, duan të bllokojnë rinumërimin e votave dhe të mbrojnë mandatet e krimit. Ky është ndryshimi që donin trafikantët dhe miqtë e tyre!! Por, ne demokratët pushtetin e dalë nga krimi, droga dhe paratë e pista, nuk do e pranojmë kurrë! Përpara për votën e lirë të shqiptarëve”, shprehet Berisha