Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 19:50

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha tha të mërkurën se qeveria shqiptare është e vendosur t’iu përgjigjet të gjitha kërkesave të NATO-s për paqen dhe stabilitetin.
Sot pasdite në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u organizua ceremonia e përfundimit të trajnimit të përbashkët midis Forcave të Armatosura Shqiptare dhe Forcave të Armatosura të SHBA-së (Grupi OMLT-A), i cili në muajin korrik do të shkojë në Afganistan për të trajnuar forcat ushtarake afgane. 
Kryeministri Berisha vuri në dukje se nga Shqipëria gjatë këtyre viteve janë nisur njësi ushtarake në misione të ndryshme në zona të rrezikshme, si në Kandahar etj, por theksoi ai, ky është misioni më i vështirë në rrafshin profesional.
“Ju shkoni atje për të stërvitur ushtarakët afganë, për të marrë në dorë sigurinë e vendit të tyre në një proces të domosdoshëm tranzicioni. Misioni juaj me një OMLT është një dimension i ri i pjesëmarrjes së Shqipërisë në forcat e ISAF dhe një dëshmi tjetër e vendosmërisë së qeverisë shqiptare për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të Aleancës, aty ku ushtria amerikane dhe NATO do të qëndrojnë për paqen dhe stabilitetin”, u shpreh Berisha. 
Me këtë rast ai vuri në dukje mirënjohjen e thellë të qeverisë shqiptare ndaj asaj amerikane për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë. 
“Ju shkoni në këtë mision si një njësi e një vendi anëtar të NATO-s dhe ne ia detyrojmë anëtarësinë në NATO, para së gjithash mbështetjes së fuqishme të qeverisë së SHBA-së dhe ushtrisë amerikane”, tha Berisha duke iu drejtuar ushtarakëve të pranishëm në ceremoni. 
Në këtë kuadër, ai vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer 15-vjeçar mes ushtarakëve shqiptarë dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, e cila ka një kontribut të madh në transformimin e ushtrisë shqiptare në një ushtri profesionale, të aftë për të përmbushur misionet e rëndësishme në Afganistan, por dhe më tej.
Më pas, Kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin kombëtar të Republikës së Shqipërisë, nënkolonel Arian Hila.