Lajme Shqip e Hënë, 09 Korrik 2012 13:19

Tiranë – Kryeministri, Sali Berisha ka përsëritur sot angazhimin e qeverisë që drejton për bashkëpunim të  ngushtë me fqinjët, bashkëpunim ndërshqiptar si kusht për integrimin rajonal dhe evropian dhe i ka bërë thirrje fqinjëve të clirohen nga doktrina e vjetër ksenobofe, raciste e antishqiptare.

Deklarata është bërë gjatë fjalës së tij mbajtur në konferencën kombëtare “Fqinjët e Shqipërisë”.

“Asnjë komb në të shkuarën nuk ka përjetuar padrejtësira dhe dhimbje të mëdha sa kombi ynë, por është kombi që mbështet më shumë integrimin në BE si të ardhmen më të mirë për të. Arritjet e shqiptarëve janë madhore dhe historike, por përsëri rrugë është për t’u bërë dhe përshkrimi i kësaj milje drejt BE ka një rëndësi të madh, drejt NATO për Kosovën dhe Maqedoninë e Malin e Zi ka rëndësi të madhe për cdo shqiptar, po ashtu edhe clirimi i fqinjëve tanë nga doktrinat e vjetra raciste, ksenofobiste antishqiptare”- tha Berisha.

Ai solli në kujtesë ato skena gjatë zgjedhjeve serbe në Presheve, duke theksuar se  ishin të ngjashme me ato në vitet ’50 me ekspeditat e Milloshevicit kundër shqiptarëve të bazuara në frikën dhe urrejtjen ndaj tyre.

“Shqipëria bashkëpunon ngushtë me fqinjët në luftën kundër kriminalitetit, për vendosjen para drejtësisë së kriminelëve, por nuk pranojnë skena të atilla”- tha ai.

Sipas Kurtit bashkimi kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm. Drejtuesi i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha, deklaroi gjatë Konferencës me temë “Fqinjët e Shqipërisë’”, zhvilluar sot në Tiranë se, “ne ndajmë vlerat bazike të shoqërive perëndimore, sepse besojmë se i takojmë asaj shoqërie dhe jemi pjesë e saj”.

Duke vënë në dukje vlerat e popullit shqiptar, Hoxha tha se, “ne besojmë tek paqja, stabiliteti, demokracia besojmë tek të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, besojmë tek nisma e lirë dhe tregu i lirë, besojmë tek lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe ideve”.

Kreu i BDI, parti shqiptare ne Maqedoni, Ali Ahmeti ne fjalen e tij kerkoi qe te zbatohet marrveshja e Ohrit. ‘Per shqiptaret e Maqedonise ka rendesi te zbatohet Marreveshja e Ohrit”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu tha sot në konferencën “Fqinjët e Shqipërisë” se “integrimi i rajonit në Bashkimin Europian dhe NATO do të përçojë stabilitetin në rajon”.

“Ndër segmentet kryesore të bashkëpunimit rajonal patjetër duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik, i cili duhet të intensifikohet më shumë. Duhet të thellohet më tej bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik dhe përshpejtimi i realizimit të projekteve të përbashkëta aktuale në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe energjetikës, në kuadër të korridorit të 8-të dhe lidhjeve hekurudhore”, theksoi Saliu.

Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë, Suzana Saliu, u shpreh se, “gjatë vizitës në Shqipëri disa ditë më parë ministri i Ekonomisë i Maqedonisë promovoi idenë dhe intensifikimin e bashkëpunimit tregtar sipas modelit të vendeve të Beneluksit, në të cilin do të përfshiheshin Republika e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Mali i Zi”.

“Kjo ide tashmë është duke qarkulluar si debat në Maqedoni, por derisa nga shqiptarët e Maqedonisë kjo shikohet si mëse e nevojshme, opinionet e qytetarëve maqedonas janë të ndara”, theksoi ajo, duke shtuar se është më rëndësi fakti se në Republikën e Maqedonisë po zhvillohen debate për gjithçka.

Nënkryetarja e Kuvendit të Maqedonisë tha se, “angazhimet e vendeve të rajonit për bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore është nxitje kryesore që kontribuon në paqen, stabilitetin dhe prospertitetin e vendeve tona”. “Shqiptarët e Maqedonisë i japin zemër dhe i çojnë përpara këto procese”, përfundoi Saliu. (LajmeShqip.com)