Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 10:23

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha theksoi, sot, vëmendjen e qeverisë ndaj arsimit parashkollor në Shqipëri dhe siguroi se “gjatë këtij viti, do të shtohen edhe 104 klasa të reja për sistemin parashkollor”.

Kryeministri Berisha vizitoi sot kopshtin nr. 25, në njësinë bashkiake nr. 4, në kryeqytet, ku uroi të gjithë fëmijët shqiptarë me rastin e 1 Qershorit, festës së fëmijëve.

“Ne synojmë që të gjithë fëmijët deri në moshën 5 vjeç, në fund të këtij viti të frekuentojnë kopshtet”, tha Berisha, duke siguruar se qeveria do të investojë akoma më shumë në kopshtet dhe shkollat e vendit.

Kryeministri tha se kopshtet janë ndoshta universiteti i parë dhe më i rëndësishëm i njeriut, pasi është mosha ku mësohet më shumë, ndaj dhe qeveria i ka dhënë rëndësi të veçantë arsimit parashkollor.