Lajme Shqip e Diel, 22 Korrik 2012 10:05

Tiranë – Me pikëllim të thellë e dhembje të madhe, në Shqipëri është marrë lajmi për vdekjen e poetit Ali Podrimja. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi i kanë shprehur sot ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të poetit të shquar, Ali Podrimja.

Berisha e ka cilësuar Podrimen princ të poezisë së letrave shqipe, personalitetit të shquar e mendjendritur të kombit tonë.

Kryeministri Berisha, në një mesazh ngushëllimi drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe familjes së të ndjerit, poetit Ali Podrimja, shkruan se “lajmi tragjik dhe shokues i ndarjes nga jeta i njeriut tuaj më të dashur, princit të poezisë së letrave shqipe, personalitetit të shquar e mendjendritur të kombit tonë, atdhetarit të flakët, Ali Podrimja, ka sjellë dhimbje në mbarë zemrat e shqiptarëve”.

“Me ndarjen nga jeta të Ali Podrimes shqiptaret humbën poetin e tyre më të madh të kohës së sotme, këngëtarin e dhimbjeve dhe vuajtjeve të tyre të mëdha, por dhe të qëndresës së tyre legjendare. Mendimi dhe bota intelektuale shqiptare humbën intelektualin luftëtar të pamposhtur të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar”, thekson Kryeministri Berisha në këtë mesazh ngushëllimi.

Berisha shprehet se “zoti e deshi që Ali Podrimja të ndahet nga ne në Paris nga ku u nis për në Parajsë për të gjetur dhe për t’u bashkuar aty me Lumin, djalin e tij të dashur, duke na lënë si trashëgim të pavdekshëm kryeveprat e tij, elegjitë e dhimbjes së madhe njerëzore, lirikat e gurta, apoteozën dhe hymnet e qëndresës së pashembullt që do shndrisin përjetë në kurorën e letrave tona”.

“Ai la për ne krenarinë që patëm një mik, një shok, një vëlla, prind e bashkëshort, një korife të poezisë dhe letrave tona si Ai”, thekson kryeministri Berisha.

Topi, mesazh me rastin e vdekjes së poetit Ali Podrimja

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi shprehu sot ngushëllimet për ndarjen në mënyrë të parakohshme nga jeta në Francë të poetit të shquar kosovar, Ali Podrimja.

“Të nderuar familjarë të të ndjerit Ali Podrimja! Në këto çaste të rënda për ju, më lejoni t’ju shpreh dhimbjen dhe hidhërimin për ndarjen nga jeta njeriut tuaj të shtrenjtë!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

“Largimi i parakohshëm nga kjo jetë i poetit të shquar nga Gjakova, i artistit me shpirt të ndjeshëm, i cili për dekada me radhë lartësoi me poezinë e tij të mbushur me simbole dhe metafora të pakrahasueshme, ndjenjat më të pastra atdhetare e liridashëse në Kosovë, na ka hidhëruar pamasë të gjithëve. Në kujtesën e të gjithë lexuesve dhe artdashësve shqiptarë, kudo që ndodhen, Ali Podrimja do të mbetet përherë i skalitur me talentin e tij të arrirë artistik, me teknikën e admirueshme poetike si dhe me profilin e veçantë dhe plot virtyte të rralla njerëzore, duke frymëzuar kështu breza të tërë poetësh e shkrimtarësh në të gjitha trojet e banuara prej shqiptarëve”.

“Duke ju përcjellë ngushëllimet më të sinqerta, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen në këtë momente të trishtuara si dhe të shpreh njëkohësisht edhe vlerësimin e lartë personal dhe institucional për jetën dhe veprën artistike me përmasa e ndikim kombëtar të Aliut tuaj të dashur!” – theksohet në mesazhin e kreut të shtetit shqiptar.

Ndërkohë kryetari socialist Edi Rama shkruan në Tëitter: “Çfarë trishtimi fundi i Ali Podrimes! Kujtoj netët e gjata në studion e Gjelosh Gjokes plot poezi, pasion artistik e atdhetar dhe hajgare!..”. (LajmeShqip.com)