Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 18:02

Tiranë -’”Bashkëpunimi i qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar është transparent dhe i suksesshëm dhe Kryeministri Berisha ka vlerësimin më të madh për këtë bashkëpunim”, tha sot përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli, duke i cilësuar mashtrime dhe trillime të radhës, pretendimet e “shtypit të kontrolluar nga opozita” për përplasje midis Kryeministrit Berisha dhe FMN-së mbi politikat ekonomike të vendit.

Sipas saj, “gazeta që kontrollohen nga opozita, me tituj në faqet të tyre të para kanë dezinformuar sot publikun mbi përplasje midis Kryeministrit Berisha dhe FMN-së për politikat ekonomike të vendit”.

“Qeveria është e vendosur që në përputhje me angazhimin e saj të mbajë në kontroll të plotë borxhin publik nën 60 %, deficitin buxhetor nën 3,5 % dhe inflacionin vjetor rreth 3 %.”, tha zëdhënësja e Kryeministrit.

Ajo theksoi se “Qeveria ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha masat për të garantuar stabilitetin makroekonomik të vendit”.

“Këta tregues dhe këtë stabilitet qeveria do ta garantojë me gjithë vendimin e saj për rritjen e rrogave dhe pensioneve dhe mosrritjen e taksave, pasi beson se rritja e rrogave dhe pensioneve është një detyrim moral i qeverisë dhe investim i rëndësishëm në burimet njerëzore, sikundër mbajtja e nivelit aktual të taksave përbën një lehtësi dhe nxitje të madhe për biznesin dhe investimet në Shqipëri. Në këtë kontekst theksojmë se të gjitha pretendimet  e shkrimeve të sotme mbi përplasje mes Kryeministrit  dhe FMN janë thjesht një ëndërr vere dashakeqe e krerëve të opozitës”, përfundon deklarata për shtyp e zëdhënëses së Kryeministrit.