Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 15:36

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë një takimi pune me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Ramë Buja, se bashkëpunimi në fushën e arsimit midis Shqipërisë e Kosovës është themelor dhe sa më shpejt duhet të kapërcehen ndasitë e padrejta.

Arsimi dhe kultura, tha Kryeministri Berisha,  “janë dy shtyllat themelore të qenies së një kombi”. Duke theksuar rëndësinë shumë të madhe që ka zbatimi i marrëveshjes së përbashkët ndërmjet ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kryeministri tha se duhet të ecet me standarde të njëjta në fushën e arsimit në mbarë kombin.

“Është e nevojshme të ecim drejt njëhsimit të plotë të programeve dhe teksteve, nisur nga tekstet bazë e deri tek ato që duhen përkthyer”, u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë e njohu ministrin Buja me reformat në fushën e arsimit, ndërsa u shpreh se tashmë krahas rritjes së numrit të pranimit të studentëve në universitete, e gjithë vëmendja është përqendruar tek cilësia në arsim dhe kërkim shkencor.

Kryeministri u shpreh se edhe për Kosovën është e domosdoshme politika e dyerve të hapura ndaj universiteteve. “Do shohim stafet më të mira dhe do të rendim drejt standardeve më të mira të vendeve të zhvilluara”, tha Kryeministri.

Ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Buja, shprehu angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së përbashkët të ministrive të të dy vendeve. Ai tha se krahas domosdoshmërisë për njëhsimin e programeve dhe teksteve, duhet dhe shkëmbimi i ndihmës reciproke për zhvillimin e kapaciteteve profesionale.