Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 15:05

Tiranë – “Shqipëria e pastër, mjedisi i pastër, përbën një nga problemet për të cilat ne duhet të angazhohemi me të gjithë potencialin për t’i dhënë përgjigjen më të shpejtë të mundshme”, u shpreh sot Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë.

Duke folur mbi problemin e mjedisit, Kryeministri theksoi se “përpjekje serioze po bëhen, por përsëri jemi larg së paraqituri të një vendi të pastër siç duhet. Kjo përbën një problem shumë serioz, shumë madhor, përbën një problem shumëplanësh dhe që kërkon një ndryshim rrënjësor të qëndrimit, të psikologjisë, të sjelljes ndaj mjedisit”.

Sipas Kryeministrit, ky problem kërkon një ndërgjegjësim të plotë, pasi asgjë nuk ndikon më tepër në jetën  njeriut sesa mjedisi ku jeton.
“Asgjë s’ka më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të tij sesa mjedisi i pastër dhe në standardet më të mira”, tha Berisha, duke shtuar se “ligjet tona për mjedisin janë shumë të mira dhe shprehin praktikat dhe qëndrimet më të avancuara të kohës”.
“Në konferencën për decentralizimin shfrytëzova rastin për t’u përcjellë vendorëve, rolin e tyre thelbësor në mbrojtjen e mjedisit. Nesër do të takohem me prefektët e vendit, autoritetet e ministrisë së Mjedisit, për të ndërmarrë një seri hapash të reja në përcaktimin e vendeve për depozitimin e mbetjeve”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se “janë gjithashtu në ndërtim e sipër një seri landfillesh për përpunimin e ujrave të zeza që duhet të ndërtohen”.
“Ministria e mjedisit u ka vendosur gjoba autoriteteve vendore për neglizhencat e tyre. Këto masa duhet të vijnë gjithnjë duke u forcuar. Taksa për mjedisin, pastrimin, duhet të jetë taksa e parë që duhet të paguajnë qytetarët në mbarë vendin. Autoritetet vendore duhet të bëjnë gjithçka për mbledhjen e saj, sepse mjedisi s’mund të mbahet pa resurset financiare të domosdoshme”, tha Berisha.

“Shqipëria sot prodhon disa herë më shumë mbetje sesa prodhonte 10 apo 20 vite më parë. Shqipëria sot popullohet me 2- fishin e popullatës së saj”, u shpreh Kryeministri teksa caktoi 20 prillin si ditën e Shqipërisë së pastër, “ku të dalim të gjithë nga çdo skaj dhe në çdo skaj të këtij vendi të pastrojmë qytetin, fshatin, rrugën”.

Ai kërkoi që Ministria e Mjedisit të përcaktojë hartën e ndërhyrjeve në të gjitha zonat.
Berisha tha se “shoqëria civile ka përcaktuar një datë tjetër dhe i përgëzoj për këtë. U kërkoj të gjitha institucioneve të japin ndihmën e tyre në 9 maj. E garantoj shoqërinë civile se do të ketë vetëm mbështetje”, tha kryeministri Berisha.