Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 11:21

Prishtinë – Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri i është kundërpërgjigjur akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje, për mungesën e rolit opozitar, për mbështetjen e Qeverisë, si dhe për futjen nën kontroll të kryeministrit Thaçi. Këto akuza Beqiri i ka quajtur të pavërteta dhe të paqëndrueshme, duke thënë se me këto veprime Vetëvendosje po i ndihmon keqqeverisjes.
“LDK-ja nuk e mbështet Qeverinë asnjëherë, përkundrazi e kemi kritikuar vazhdimisht. Mirëpo, LDK-ja është parti shtetformuese dhe kur janë në pyetje interesat e shtetit ne dalim në mbrojtje të tyre”, ka deklaruar Beqiri në një intervistë për “Epokën e re”. 
Ai ka thënë se LDK-ja në të gjitha format është më e fuqishme se Vetëvendosje. 
“Fuqia në Kuvend, përveç kualitetit, matet edhe me numra. Është shumë e qartë se roli ynë opozitar është prijës dhe përcaktues”, ka thënë shefi i Grupit parlamentar të kësaj partie. 
Ai e ka cilësuar jokorrekte sjelljen e Vetëvendosjes karshi partisë së tij, duke thënë se në njërën anë Vetëvendosje kërkon bashkëpunim nga LDK-ja, kurse në anën tjetër e sulmon pa argumente. “Është jo e sinqertë dhe jokorrekte që në njërën anë të kërkohet bashkëpunim, kurse në anën tjetër të sulmohemi pa asnjë argument. Por kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, ka thënë Beqiri.