Lajme Shqip Thursday, 16 July 2015 08:19

Për Bashkësinë e Komunave Serbe në veri, që serbët e quajnë “Zajednica”, Qeveria e Serbisë ka ndarë tashmë 10 milionë eurot e para për të.

“Zajednica” rrjedh nga Marrëveshja a Brukselit mes Prishtinës e Beogradit e arritur më 19 prill 2013, dhe prej atëherë vazhdojnë diskutimet për themelimin e saj.

Gazeta “Zëri”, nga burimet e saj në Qeverinë serbe, ka mësuar se në qershor të këtij viti, në shqyrtimin e buxhetit të Serbisë për pjesën e dytë të vitit, vendi ka ndarë 10 milionë euro për dy sektorë, arsimin dhe shëndetësinë, të cilat do të derdhen në Bashkësinë e Komunave Serbe në veri sapo të themelohet.

“Janë 10 milionë euro që janë ndarë fillimisht për dy sektorë, arsimin dhe shëndetësinë. Kjo është pjesa e parë, ndërsa do të ketë diskutime dhe shqyrtime për pjesën tjetër, që përfshin infrastrukturën, zhvillimin ekonomik dhe sektorë të tjerë”, ka thënë për “Zërin” një zyrtar i lartë në Qeverinë serbe, në kushte anonimiteti.

“10 milionë euro janë paraparë të shpenzohen për shëndetësi e arsim në Kosovë, vetëm për gjashtë muajt e fundit të vitit 2015”, tha më tutje ai.