Lajme Shqip Saturday, 24 September 2011 13:10

Mitrovicë – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Serbisë, janë arrestuar 6 persona, të gjithë zyrtarë të Gjykatave të Serbisë, por që janë nga Mitrovica. Ata akuzohen për vepra të korrupsionit të lartë, transmetojnë mediat serbe në veri të Kosovës.

Me këtë rast, është arrestuar Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Serbisë, Bllagoje Jakshiq (vëllau i Marko Jakshiqit v.j.), të cilit edhe i është marrë imuniteti.

Jakshiq është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale, ndërsa në paraburgim gjenden edhe tre persona të cilët kanë punuar në Gjykatën në Mitrovicë.

Për veprat kriminale të Bllagoje Jakshiqit ka raportuar edhe Portali LajmeShqip.com, gjatë publikimit të dosjes konfidenciale të NATO-s. Dosja e Marko Jakshiqit mund të lexohet këtu. Reagimin e Marko Jakshiqit e ka transmetuar edhe B92 nga  Beogradi që mund ta lexoni këtu.

Prokuroria ka hapuar hetimet me dyshimin që Jakshiq e ka keqpërdorë pozitën e tij zyrtare.

Në anën tjetër, Gjykata e Lartë në Beograd, në një takim urgjent, ia ka marrë imunitetin anëtarit të saj, Bllagoje Jakshiq, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në nje deklerat të lëshuar nga Këshilli, thuhet se vendimi për marrjen e imunitetit ka ardhuar pas kërkesës së gjyqtarit hetues të Dhomës së Veçantë të Gjykatës së Lartë në Beograd, në mënyrë që organet e drejtësisë të munden të zhvillojnë hetime ndaj Jakshiqit, kur kihet parasysh se ai është i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe prokurori atë e akuzon për vepër penale – krim të organizuar.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka theksuar se Bllagoje Jakshiq është duke u marrë në pytetje nga ana e gjykatësit të Gjykatës Speciale të Serbisë. Pos Jakshiqit, janë arrestuar edhe tre persona dhe është duke u zhvilluar operacion për arrestimin edhe të dy personave të tjerë, ka thënë Daçiq, citojnë mediat serbe në veri të Kosovës.

Prokurori kundër krimit të organizuar, Millojko Radisavleviq, ka theksuar se Prokuroria ka kërkuar që Jakshiqit t’i caktohet masa e paraburgimit. Dyshohet se të arrestuarit me punën e tyre kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjëshme mbi 20 milion dinarë, në kohën kur ai ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Mitrovicë.

Radisavleviq ka shtuar se hetimet e prokurorisë përfshijnë më shumë persona, ndër të cilët tre janë të punësuar në Gjyqin në Mitrovicë, dhe të cilët tani janë në paraburgim.

Ndërsa Ivica Daciq ka theksuar se, në bazë të dyshimeve për keqpërdorime të detyrës zyrtare, deri më tani janë arrestuar sekretari i Gjykatës në Mitrovicë, Mirosllav Bozhoviq dhe dy zyrtarë të tjerë, Bllagoje Quroviq dhe Dragan Gavrilloviq.

Sipas ministrit të Policisë së Serbisë, me urdhër të Gjykatës janë duke u kërkuar edhe dy persona të tjerë, që janë të perfshirë në këto hetime, Lubomir Bishevac dhe Miodrag Laktetiq.

Sipas burimeve jozyrtare, besohet se tanimë është arrestuar bizismeni nga veriu i Mitrovicës, Lubomir Bishevac, i cili dyshohet se në mënyrë të jashtëligjëshme ka marrë lokalin në veri të Mitrovicës, i cilai ka 320 metra katrorë, në bazë të dokumentave të falsifikuara, të cilat janë vërtetuar në atë kohë në Gjykatën e Mitrovicës, me urdhër të kryetarit të Gjyqit, Bllagoje Jakshiq. Lokali afarist më vonë është shituar dhe me këtë kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme mbi 20 milion dinarë. Ndërsa, njëri nga të arrestuarit, në mesin e puntorëve të Gjykatës në Mitrovicë, para disa ditësh ka shqyer fletën nga librat zyrtarë të gjyqit në Mitrovicë, me qëllim të fshehjes së dëshmive.

Burimet e portalit theksojnë se këtu bëhet fjalë për një lokal afarist të ish-ndërrmarrjes tregtare LUX, i cili gjendet në këndin lindor të urës mbi Ibër. (LajmeShqip.com)