Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 18:54

Tiranë – Zv.ministri i Jashtëm, Selim Belortaja, priti pasditën e djeshme deputetët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – Indonezi, të kryesuar nga Muhammad Hidayat Nur Wahid, Kryetar i Këshillit të Bashkëpunimit Ndërparlamentar në Parlamentin e Indonezisë.

Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se në takim, Belortaja bëri një ekspoze të reformave në vend dhe potencialit që ofron ekonomia shqiptare për partnerët e huaj -një potencial dhe klimë biznesi, e cila mirëpret dhe fton për bashkëpunim edhe investitorët indonezianë.

Gjithashtu Belortaja theksoi se njohja e Kosovës mbetet një nga prioritetet e diplomacisë shqiptare.

Duke iu referuar rezolutës së fundit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ku të dy vendet janë anëtare, ai nënvizoi nevojën dhe argumentat për njohjen nga ana e Indonezisë të pavarësisë së Kosovës.

Ky kontribut, tha zv/ministri Belortaja, do t’i shërbente më tej konsolidimit të paqes, stabilitetit në rajon e më gjerë.

Ndërsa, parlamentarët indonezianë, pasi vlerësuan arritjet e Shqipërisë, rolin konstruktiv që ajo luan në rajon e më gjerë, diskutuan mbi mundësitë konkrete që ekzistojnë për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si energjia, turizmi, industritë përpunuese, etj.