Lajme Shqip Thursday, 29 October 2015 08:38

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, ka konfirmuar për gazetën se do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesën për lëshimin e urdhër arrestit për katër deputetët që hodhën gaz lotsjellës në Kuvend.

Arrestimi do të kërkohet për Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Faton Topallin nga “Vetëvendosje” dhe Donika Kadaj-Bujupin nga AAK-ja, shkruan sot Koha Ditore.

Ata po hetohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim të paautorizuar të armës së rrezikshme.

“Meqenëse nuk u janë përgjigjur ftesave për intervistim, prokurori i çështjes do të kërkojë nga Gjykata –lëshimin e urdhër arrestit me qëllim të sigurimit të prezencës së tyre në procedurë të mëtejmë”, ka thënë kryeprokurori Beka.

Në përgjigjet e tij për gazetën, Beka i është shmangur termit “arrestim”, kur është pyetur nëse kjo do të kërkohet për deputetët.