Lajme Shqip Wednesday, 31 July 2013 12:03

Tiranë – Kryeministri i zgjedhur Edi Rama shpalli sot emrat e kabinetit qeverisës që do punojnë bashkë me të për të qeverisur vendin në mandatin 4-vjecar. Risitë e kësaj qeverie, sipas Ramës është perberja e kabinetit gra dhe 90% emra të rinj, të padëgjuar më parë në qeveri, si dhe përfaqësim nga shoqëria civile. 
Kështu 5 poste ministrash i ka marrë LSI, një post ministri i përket shoqërisë civile dhe pjesa tjetër janë pjesë e PS-së, shumica deputetë të rinj në moshë dhe në poste ministrore.

E perditshmja ‘Gazeta Shqiptare’ njoftoi sot paradite lajmin për shpalljen e qeverisë, duke dhënë edhe disa nga emrat e kabinetit qeverisës.

STRUKTURA E QEVERISE “RAMA” (2013 – 2017) 
Kryeministri Edi Rama 
Zv/Kryeministri Niko Peleshi

MINISTRITE: 
1. Ministria e Financave Shkëlqim Cani 
2. Ministria e Brendshme Saimir Tahiri 
3. Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli 
4. Ministria e Jashtme Ditmir Bushati 
5. Ministria e Integrimit Europian Klajda Gjosha 
6. Ministria e Drejtësisë Nasip Naço 
7. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj 
8. Ministria e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri
9. Ministria e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni
10. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto
11. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti 
12. Ministria e Shëndetësisë Ilir Beqja
13. Ministria e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolli
14. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj 
15. Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro
16. Ministria e Mjedisit Lefter Koka

MINISTRAT E SHTETIT: 
17. Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito 
18. Ministër për Çështjet Vendore Blend Cuci
19. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi

Ne daljen e tij ne konferencen per shtyp sot ne oren 11:00, Rama tha se cdo ministër i kësaj qeverie, do punojë me nder dhe duar të pastra. 
“Qeveria e re do jetë mishërim i pushtetit strategjik të aleancës sonë ASHE, vizionit tonë të përbashkët politik për t’i dhënë më shumë hapësirë grave dhe të rinjve, përfshirje shoqërise civile, për të ecur më shpejt në rrugën e Rilindjes Kombëtare”, tha Rama në nisje.

Ndarja e posteve ministrore dhe strukturimit të qeverisë së re, sipas Ramës është fryt i një bashkëpunimi me aleatin e tij strategjik, Ilir Meta. Qeveria e re, sic tha më tej Rama do jetë një tryezë pune me njerëz të palodhur.

“Qeveria do jetë mishërim i përgjegjësisë për ndarjen sa më të mirë të detyrave brenda shumicës qeverisëse, është fryt i një dialogu strategjik me partnerin e LSI Ilir Meta. Do punojmë bashkë, me durim si një skuadër”, tha ai më tej.

Qeverisja do të mishërojë vlerat e punës në skuadër, tha më tej Rama. “Nga dita e parë nuk na votuan për të ndërruar një kryeministër dhe një qeveri me një tjetër, na votuan për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë”, tha ai.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Rama më pas u pyet nga gazetarët mbi cështje të ndryshme që kishin të bënin me qeverisjen e ardhshme.

Cfarë niveli përgjegjësie do ketë avokat Spartak Ngjela? 
Avokati Ngjela e ka marrë përgjegjësinë kohë më përpara dhe ajo është një përgjegjësi e patjetërsueshme dhe pse me keqardhje them se nuk kemi rënë dakort për pozicionin.

Ju keni deklaruar se keni një marrëveshje me të. 
Kemi pasur marrëveshje, dhe ne ia kemi propozuar dhe ai e ka refuzuar me lartësinë që e karakterizon.

A mund ta dimë se cfarë posti i keni propozuar? 
Të mos kalojmë në kuadër të thashethemeve kalojmë tek pyetja tjetër.

Po ju nuk e krijuat një ministri Emigracioni ashtu sic e premtuat? 
Nuk kam bërë premtim për ministri Emigracioni mbase e ngatërroni me partinë came.

Cili do jetë kriteri themelor i qeverisjes suaj? Mos keni shpërfillur aleatët? 
Kriteri themelor do të jetë ai që thashë me nder e duar të pastra në nder të popullit shqiptar. Dua t’ju siguroj se me Vangjel Dulen kemi në sintoni për të vazhduar bashkëpunimin dhe PBDNJ do jetë partner në mirëqeverisje. 
Kemi çmuar se barra e mandatit të 23 qershorit është një barrë që ia ka dhënë PS dhe LSI për ta cuar së bashku dhe për ta cuar së bashku në drejtim të BE. Nuk është shpërfillje ndaj aleateve por dhe përgjegjësi e imja si kryetar i kësaj mazhorance.

Kreu i ri i PD ka kërkuar transparencë për zgjedhjet. Si i përgjigjeni? 
Ne kur ishim në opozitë kemi bërë një luftë madhore ti sigurojmë opozitës sot atë që opozita e djeshme nuk e pati dje. Hap kutitë ka qene deviza e luftës sonë dhe u hapën përmes atij institucioni të KQZ-së që ne na e privoi. Por ne nuk do ia privojmë asnjë të drejtë opozitës.