Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 10:42

Tiranë – Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian do të organizojë sot në Luksemburg Forumin për Ballkanin Perëndimor.

Bashkëpunimi Rajonal dhe perspektiva Evropiane e Ballkanit Perëndimor do të jetë ndër temat kryesore që do të diskutohen në këtë Forum, ku pritet të marrin pjesë të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor.

Forumi pritet të diskutojë edhe për situatën në Shqipëri, veçanërisht për zgjedhjet lokale të 8 Majit, që është ndjekur nga afër.

Këshilli pritet t’u bëjë thirrje udhëheqësve politikë për të mbështetur finalizimin e procesit zgjedhor me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me fokus në të ardhmen evropiane të vendit.

Këshilli pritet, gjithashtu, të nxisë autoritetet shqiptare që të shtojnë përpjekjet për reformat, me qëllim që të jenë në gjendje të ecin përpara drejt BE-së, duke theksuar se BE-ja mbetet e angazhuar për të mbështetur perspektivën europiane të Shqipërisë dhe përpjekjet e saj në këtë proces.

Në këtë takim merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto.