Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 11:46

Tiranë – Pas lajmit të publikuar nga LajmeShqip.com, ambasadorja e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi, ka deklaruar se çështja e flamurit i përket Protokollit të Parlamentit Europian.

“Takimi i SAPC Stabilisation and Association Parliamentary Committe, është aktivitet që zhvillohet mes dy parlamenteve, Parlamentit tonë dhe Parlamentit Europian. Si i tillë, me protokollin e organizimit të këtij takimi në Bruksel merret Parlamenti Europian dhe jo misioni diplomatik shqiptar”, u shpreh për gazetën “Panorama”, zonja Halimi.

Flamuri shqiptar me yllin mbi shqiponjën dykrenare, që përdorej gjatë periudhës komuniste e që është hequr nga qarkullimi pas ardhjes së demokracisë e pluralizmit, ishte vendosur dje në sallën ku 14 deputetë shqiptarë e 7 eurodeputetë të Delegacionit të Parlamentit Europian zhvilluan takimin e fundit para kthimit të parlamentarëve shqiptarë në atdhe. Nuk dihet nëse ky fakt është vënë re nga deputetët shqiptarë të pranishëm në takimin e djeshëm, ndërsa vëmendja e tyre ka qenë te pozicionet e tyre diametralisht të kundërta lidhur me zgjedhjet administrative të 8 majit në Shqipëri. 

Lajmeshqip.com publikoi dje videon dhe fotografit ekskluzive të këtij skandali.