Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 17:13

Shkup – Përderisa sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe njëri nga kandidatë për ministër në kabinetin e ri qeveritar, Abdilaqim Ademi ka sqaruar pozicionet dhe qëllimet e partisë së tij në Qeverinë e re, ka pasuar reagimi i Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), ku shprehet pakënaqësia nga formimi i qeverisë së re si dhe pozita sërish e dobët e shqiptarëve karshi maqedonasve.

Zyrtari i lartë i BDI-së, Ademi, në një prononcim tha se në bisedimet për Qeverinë e re fillimisht do të vendosen parimet e funksionimit të koalicionit, përpilimin e programit të përbashkët, i cili do të jetë program i dy partive fituese në zgjedhjet e 2011-tws dhe resorët që do të ndahen, do të jenë në bazë të prioriteteve tona programore.

“Jo rastësisht jemi përcaktuar për këto resorë, duke filluar nga resorët që kanë për qëllim kryesor integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE) dhe nw NATO, si dhe bartjen e proceseve reformuese në vend. Prandaj, jemi përcaktuar për Zëvendëskryeministër për Çështje evropiane, i cili do të jetë bartës i të gjitha aktiviteteve dhe koordinimit për plotësimin e kriteriumeve të Maqedonisë për anëtarësim në BE; për Ministrinë e Mbrojtjes, e cila është bartëse e aktiviteteve për Integrimin e Maqedonisë në NATO; për Ministrin e Drejtësisë, e cila do t’i bartë reformat në gjyqësi dhe reformat e tjera dhe për zhvillimin ekonomik të vendit, qw wshtw bartëse e këtyre aktiviteteve, Ministria e Ekonomisë; për procesin e decentralizimit, e cila në bashkëpunim me Sekretariatin për implementimin e MO-së, Ministria e Pushtetit Lokal, dhe ruajtja e ambientit, i cili gjithashtu është njëri nga prioritetet që Maqedonia duhet të plotësoj”, deklaroi Abdilaqim Ademi. Ai ka thënë se së shpejti dy partitë do të dalin me platformën e përbashkët dhe marrëveshjen e arritur. Ademi bëri të ditur se informacionet e shpalosura në disa media lidhur me kandidatët për ministra apo çështje tjera të koalicionit nuk e kanë si burim BDI-në.

“Ne bisedojmë për program, i cili është katërvjeçar, për udhëheqje me Maqedoninë, në atë program do të jenë të gjitha temat, të gjitha problemet e hapura që deri tani kanë ekzistuar dhe ndoshta kanë shkaktuar prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, ne dëshirojmë si koalicion i ri, t’i përmbyllim të gjitha temat e hapura dhe t’i japim shans Maqedonisë evropiane dhe shans për zhvillim ekonomik të vendit”, theksoi Ademi. Sipas tij, dy partitë po vazhdojnë me bisedimet për ndarjen e drejtorive dhe eshalonëve të tjera, që për herë të parë do të drejtohen nga kuadro shqiptare.

Nga ana tjetër, përmes një reagimi me shkrim, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) kanë reaguar duke e përshkruar si të rëndë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Veteranët e UÇK-së nuk janë të kënaqur as nga formimi i Qeverisë së re dhe aktorët e njëjtë politik, të cilët sërish do të jenë në skenë. Veteranët e UÇK-së nuk janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve në Maqedoni e sidomos pas formimit të Qeverisë së re.

“Edhe pas zgjedhjeve të parakohshme, politika vendore ndaj shqiptarëve është e njëjtë, epërsia e sllavo-maqedonasve mbi të tjerët veçmas ndaj shqiptarëve, diskriminuese, e papërfillshme ndaj të gjitha gjeneratave, e një anshme”, thuhet në reagimin me shkrim të veteranëve të UÇK-së. Ata nuk janë fare të kënaqur me vetë faktin se të njëjtit aktorë të politikës janë zgjedhur në postet kryesore.

“Kjo nëpërkëmbë votën e shqiptarëve”, thuhet në kumtesën e veteranëve. Premtimet e politikanëve gjatë fushatës për status barazie veteranët i konsiderojnë vetëm fjalë dhe veprime jo parimore. Këto deklarata veteranët i konsiderojnë adoleshente dhe se nuk mund të tregojnë strategjinë e subjekteve më të mëdha numerikisht. “Njëanshmëria në udhëheqje institucionale qeveritare, parlamentare e shtetërore na kthen në kohën e monizmit dhe një etnisë. Atë që përmendi Xhejms Perdju për një vazhdimësi nacionaliste e dëshmuan pikërisht të rizgjedhurit antishqiptarë”, theksohet në kumtesë.

Veteranët u bëjnë thirrje udhëheqësve të institucioneve më të larta, që të kthjellohen dhe që të dëshmojnë se ky vend u takon të gjithë qytetarëve dhe se udhëheqja të jetë proporcionale.