Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 16:08

Shkup – VMRO-DPMNE dhe BDI janë marrë vesh që qeveria e re të punojë sipas platformës së përbashkët, të cilën do ta nënshkruajnë të dy liderët, Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti, bëjnë të ditur burime partiake për  Portalin Lajmeshqip.com.

Kjo platformë te do të përmbajë ligj për përparimin e gjuhës shqipe dhe ligj për përdorimin e simboleve të bashkësive etnike. Me nënshkrimin e saj, siç theksojnë nga BDI, “do t’i iket praktikës së deritanishme të Gruevskit, që sukseset e qeverisë t’i merr përsipër vetëm kuadri i tij dhe i partisë së tij, siç dinte të ndodhte në mandatin e kaluar trevjeçar”.

Burime të Portalit Lajmeshqip.com bëjnë të ditur se BDI do t’i marrë 5 ministra, 5 zv/ministra, 5 sekretarë shtetërore dhe kryetarin e Parlamentit

Sipas burimeve nga BDI, negociatorët e tyre kanë arritur të luftojnë edhe për kërkesën e liderit të tyre Ali Ahmeti dhe kësaj radhe kanë fituar pesë vende ministrore, pesë vende zëvendës ministrash dhe pesë sekretarë shtetërorë, por se akoma është në shqyrtim vendi për foltoren e parlamentit.

Siç kuptuam, VMRO-DPMNE-ja me siguri do t’ia lë edhe këtë pozicion Ali Ahmetit, për të cilën një kohë më të gjatë aludon partneri shqiptar në qeveri dhe se asnjëherë nuk e ka marrë njërën prej 12 funksioneve kryesore në shtet.

Gruevski edhe pse ka shprehur dëshirë që ky vend t’i takojë sërish Trajko Veljanovskit, gjithsesi është e mundur kësaj radhe t’u takojë integruesve të cilët nga ana tjetër për këtë pozicion e kanë propozuar Xhevat Ademin. Siç informojnë burimet tona, pasi që të precizohet se kujt do t’i takojë foltorja e parlamentit, do të fillojnë me negociata rreth ministrive dhe kuadrove. Siç më është e njohur, BDI-ja kërkon ndarje proporcionale të pozicioneve dhe funksioneve në ministri. Për integruesit pozicione më të pranueshme janë ministritë për financa, punë të jashtme, të brendshme, mbrojtje dhe euro integrimeve. Për vendin e zëvendës kryeministër në euro integrimet, BDI-ja sipas burimeve e ka propozuar Ermira Mehmetin për të cilën nga VMRO-DPMNE-ja kanë marrë dritë të gjelbër. Akoma nuk është konfirmuar nëse do ta fitojnë këtë vend integristët.

Sipas të njëjtave burime, BDI-ja nuk do ta lë anash zgjedhjen e statusit të ish luftëtarëve të UÇK-së dhe mbylljen e rasteve të Hagës, punë të cilat nuk do të gjinden në platformën qeverisëse. Për rastet e Hagës , BDI-ja e ka propozuar komentim autentik të Ligjit për amnisti si zgjidhje të vetme. Nga VMRO-DPMNE-ja edhe më tutje heshtin. Komentimet kryesore prej atje janë se qeveria e re do të përbëhet më shpejtë se sa që pritet, respektivisht menjëherë pasi që të konstituohet Parlamenti i ri.