Lajme Shqip Tuesday, 30 July 2013 14:38

Tiranë – Kryetari i ri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, më në fund u shfaq në rolin që i është caktuar.
Pas takimit me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Basha tha se PD kërkon transparencë për zgjedhjet tani, jo siç ka propozuar PS për të shtyrë transparencën për më vonë.
“Në takimin me zotin Sekui ngrita çështjen e problemeve të evidentuara pas procesit zgjedhor në Lezhë dhe Shkodër, por dhe në zona të tjera elektorale,” tha Basha duke shtuar se “ka pasur përdorim butaforik të elementëve kriminalë për të deformuar vullnetin e shqiptarëve”.
“Ky është një precedent që diskrediton vendin dhe dekurajon besimin e qytetarëve tek vota e lirë. Pikësëpari është e domosdoshme që të ketë transparencë të plotë për atë që ka ndodhur. Të gjitha përpjekjet për të ndalur këtë transparencë janë të dënueshme. Ajo tregon se përdorimi butaforik i elementëve kriminalë në zgjedhje nuk ka qenë spontan, por i organizuar. Transparenca duhet të bëhet sipas Kodit Zgjedhor dhe nuk duhet shtyrë në kalendat greke siç u propozua dje,” tha Basha duke shtuar se “Kolegji Zgjedhor është dukshëm nën trysni”.
“Jemi të vendosur që të mos e lejojmë precedentin e përdorimit dhe futjes në parlament të elementit kriminal, duke kthyer besimin tek vota”.
Basha tha se ka ngritur edhe shqetësimin e CV-ve që po mbledh Edi Rama online.
“Ndava me Sekuin shqetësimin që të kujton periudhën e partisë- shtet ku mblidhen në internet biografitë e anëtarëve të partisë.
E njoha me vendimin tonë për ngritjen e komisionit të mbrojtjes së administratës publike,” tha Basha.
Sipas kryetarit të ri të PD, shqetësues është edhe ai që e quajti presion të mazhorancës së re ndaj institucioneve.
“Shpreha shqetësimin për kulturën e presioneve ndaj institucioneve të shtetit duke filluar nga Presidenti, KLD, Kolegji Zgjedhor, Këshilli Kombëtar i Medias, Inspektorati i Deklarimit të Pasurisë, ku duket se ka një revansh verbal që duhet të frenohet menjëherë. PD qëndron fuqishëm në mbrojtje të institucioneve dhe jam i bindur se do kemi mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë,” tha Basha./Tema/Lajmeshqip/