|
|
e Diel, 18 Dhjetor 2011 08:00 Tiranë-”Zhvillimi ekonomik dhe punësimi që mbështetet te projekti i rigjenerimit ekonomik për Tiranën, do të realizohet përmes rigjenerimit të biznesit”. Ishte kjo deklarata e kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë një takimi me banorë të Njësisë Bashkiake Nr.5 në kryeqytet, ku prezantoi projekt-buxhetin e vitit 2012.
Për këtë qëllim, Basha tha se “Bashkia e Tiranës vendosi heqjen e taksave dhe tarifave të tepërta” dhe premtoi vazhdimin e reduktimit të tyre, pasi nxitja e aktivitetit ekonomik, dinamikës ekonomike në Tiranë është rruga kryesore që siguron punësim të qëndrueshëm
“Brenda dy javësh në Këshillin Bashkiak do të bëjmë një propozim që për të gjitha bizneset e reja që punësojnë më shumë se 50 persona nga lista e të papunëve të Tiranës, të eleminojmë të gjitha taksat e tarifat vendore, ndërsa për të gjithë ata që punësojnë mbi 75 vetë në sektorin e ndërtimit, do të ulim me 30 % edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, që është një nga taksat kryesore” u shpreh kreu i Bashkisë, Lulzim Basha.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm, Bashkia do të hapë Qendrën me një ndalesë për lejet dhe licencat në Tiranë. Sipas Bashës, reduktimi i dokumentacionit, dhënia e procedurave online në internet dhe me një ndalesë të vetme, jo vetëm do të ulin kohën e stresin, por japin dhe impakt të drejtpërdrejtë financiar, pasi vetëm në tri qytete, që janë pak a shumë sa 5 minibashki të Tiranës, sipas studimit të USAID, kjo proçedurë solli 6 milionë USD kursime.
“Ne jemi të bindur që i aplikuar siç duhet, ky sistem do të sjellë dy herë më shumë kursime dhe do të përkthehet lirisht në 1.000, deri në 1500 vende pune”, shpjegoi Basha, politikat e zhvillimit dhe nxitjes së biznesit në kryeqytet.
Në buxhetin 2012, për herë të parë, sipas modeleve të përparuara të kryeqyteteve në botë, Bashkia e Tiranës ka përfshirë projektin “Smart City”, që vendos teknologjinë e infomacionit në shërbim të një qyteti më efiçent në raport me detyrimet e qytetarëve dhe të marrëdhënieve të tyre me administratën.
Projekti “Smart City” lidhet me matjen në kohë sa më reale dhe reagimin sa më të shpejt ndaj fenomeneve si trafiku, shpenzimi i energjisë elektrike, menaxhimi i mbetjeve urbane, ujësjellës-kanalizimeve, çështje të sigurisë.
Kryebashkiaku Basha bëri të ditur fondin prej 800 milionë lekë të vjetra që Bashkia do të japë për klubin e futbollit të Tiranës si dhe një shumë tjetër për aktivitete të tjera sportive për zhvillimin e sportit në Tiranë. (LajmeShqip.com)