|
|
e Hënë, 19 Dhjetor 2011 08:00 Tiranë-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, vijoi dje konsultimet për projektbuxhetin e vitit 2012 me banorët e Njësisë Bashkiake numër 11, e cila përfiton investime në buxhetin e vitit 2012 sa në 10 vitet e fundit të marra së bashku.
Projektbuxheti i Bashkisë për vitin 2012, parashikon rikualifikimin urban të infrastrukturës rrugore, ujësjellës kanalizime, rikonstruksion dhe ndërtim shkollash, kopshte e çerdhe, ndërtimin e një qendre sociale etj, duke kthyer kështu vëmendjen e Bashkisë edhe ndaj kësaj njësie bashkiake.
“Një pjesë e madhe e këtyre investimeve shtrihet në territorin e njësisë bashkiake nr 11, e cila për një kohë të gjatë është lënë jashtë vëmëndjes dhe pasojat e kësaj mungese ju i vuani në mënyrë të përditshme”, tha Basha.
Ai shtoi se për këtë Njësi Bashkiake janë planifikuar vitin e ardhshëm fonde të mjaftueshme të ndërtimit të Unazës në Kodër-Kamëz, me një gjatësi prej 1300 metrash, ndërtimin e rrugës që lidh rrugën “Don Bosko” me rrugën Egnatia, rehabilitimin total të bllokut mbi shinat në një sipërfaqe prej 30 hektarësh, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza në kufi me Komunën e Paskuqanit, ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza në bregun e Lumit.
“Këto 5 investime të mëdha infrastrukturore janë rezultat i një konsultimi paraprak me të zgjedhur të njësisë vendore 11, por edhe përfaqësues të tjerë të zërit të komunitetit të kësaj njësie vendore. Ne kemi parashikuar në buxhetin e vitit 2012 rikonstruksionin e dy kopshteve, në rrugën “Gjergj Legisi” dhe në Kodër-Kamëz, po kështu do të bëhet instalimi i pajisjeve të ngrohjes në kopshtin e Bregut të Lumit, objekt që është në vazhdim. Do të ndërtohet një komponent shtesë në shkollën “Isa Boletini” dhe do ndërtohet tërësisht shkolla 9 vjeçare “Ahmet Gashi”", tha Basha.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ka nisur puna për ndërtimin e qendrës sociale këtu në Laprakë si një pjesë e angazhimit për të pasur 6 qendra të tilla deri në qershorin e vitit të ardshëm.
Banorët e njësisë bashkiake numër 11 janë përfituesit kryesore të një sërë projektesh strategjike që marrin jetë gjatë vitit 2012, siç është ndërtimi i terminalit të ri të trenit dhe autobuzëve urbane dhe interurbanë. Kjo do të mundësojë edhe zhvendosjen e shinave të trenit, një problem tejet shqetesues për banorët e Laprakës.
Po kështu Linja e Tramit, Laprakë- sheshi “Nënë Tereza”, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërhyrja në rrethrrotullimin e Doganës dhe mbikalimet që parashikohen të ndërtohen përgjatë rrugës së Durrësit, janë projekte që kanë impakt mbi këtë zonë si përsa i përket zhvillimit ekonomik, por edhe punësimit.
“Ne do të nisim së shpejti transferimin e stacionit të trenit, nga vendi ku ndodhet tani tek territori që kemi marrë që është shumë afër njësisë suaj vendore, pavarësisht se shtrihet në territorin e Kasharit, një sipërfaqe prej 80 mijë metrash katrorë ku ne do të vendosim stacionin e ri të trenit, stacionin e autobuzave interurbanë të të gjithave drejtimet, me përjashtim të lindjes. Pra për perëndimin, veriun, jugun dhe drejtimet e ndërmjetme si dhe ku do të nisë projekti i njërit prej linjave të tramit që përkatësisht do ta përkufizoja si linja Laprakë, Sheshi ‘Nënë Tereza’, tha Basha në këtë takim.
Vendosja e këtij terminali, vuri në dukje kryebashkiaku Basha, realizon nga pikëpamja infrastruktore një hap shumë të rëndësishëm para se të nisë investimi strategjik i Bulevardit të ri nga stacioni i Trenit deri në tek Lumi i Tiranës dhe më pas deri tek rezervuari i Paskuqanit, që është edhe bërthama e parkut të ri të qytetit të Tiranës.
Një investim tjetër, që do të nisë vitin e ardhshëm, ku Bashkia do të luajë një rol kryesor në planifikim, ndërkohë që do të mbështetet nga qeveria, është segmenti i Unazës së re nga qendra Kristal tek Teknologjikja, për t’u bashkuar me Unazën e re që është ndërtuar prej kohësh dhe ndërtimin me dy nivele të rrethrrotullimit të Doganës.
Duke folur për projektet që pritet të marrin jetë vitin e ardhshëm Basha bëri të ditur se aktualisht inxhinierët kanë përfunduar matjet topografike si dhe preventivin për katër mbikalime përgjatë rrugës së Durrësit.
Kryebashkiaku nënvizoi edhe në këtë takim filozofinë e re të instaluar prej tij në Bashkinë e Tiranës, “shkurtim shpenzimesh dhe rritje shërbimesh”. (LajmeShqip.com)