Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 18:41

Tiranë – Kandidati demokrat, Lulzim Basha, i bëri thirrje rivalit të tij Edi Rama që të heqë dorë nga kërcënimet dhe shantazet ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe i kërkoi atij të pranojë çdo rezultat.

“Gjatë gjithë këtij procesi, kam deklaruar dhe deklaro se cilido qoftë verdikti përfundimtar i procesit, unë do ta pranoj atë.  Në anën tjetër, kundërshtari im bëri zgjedhjen e tij për të mos njohur vendimet e Kolegjit Zgjedhor, për arsyen e thjeshtë se këto vendime janë bazuar në ligj dhe jo tek interesat e tij politike.  Unë besoj se numërimi i çdo vote është parimi më i drejtë dhe më i ligjshëm.

Z. Rama nuk mendon kështu.

Nuk ka problem. Nuk është e thënë që të biem dakord për çdo gjë dhe kandidati tjetër ka të drejtë të përdorë cilindo mjet brenda sistemit tonë ligjor, qoftë kjo edhe nëse beson me të vërtetë se të mbysësh zërin e qytetarëve është e vetmja rrugë.

Megjithatë, kur institucionet tona të pavarura, bashkërisht të pranuara, japin verdiktin përfundimtar, është detyra e të gjithë neve të pranojmë këtë verdikt, sepse ligji qëndron mbi të gjithë ne.

Por, rivali im ka zgjedhur një rrugë tjetër.  Ai ka zgjedhur të ndërmarrë një hap të paprecedent, duke kërcënuar dhe duke i bërë presion Kolegjit Elektoral me anë të një letre publike dhe sot para ekranit.  Është e papranueshme për cilëndo palë që të bëjë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor. Presioni ndaj Kolegjit Zgjedhor është një presion i mirëfilltë ndaj Drejtësisë. Të gjithë ne e dimë që vetëm një palë e ka bërë këtë, dhe motivet e Z. Rama për këtë flasin vetë”, përfundon deklarata e Lulzim Bashës, i shpallur fitues me ppak vota më shumë se Edi Rama, nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor, në garën e gjatë e të ngushtë për kryetar bashkie në Tiranë.