Lajme Shqip Monday, 23 June 2014 17:30

Shoqatat e të zgjedhurve vendorë organizuan sot konferencën: “Zgjerimi i autonomisë vendore, reformë e qëndrueshme territoriale”, ku morën pjesë kryetarë komunash e bashkish, ekspertë dhe grupe interesi. 

Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha u shpreh se modeli i reformës territoriale që propozon sot qeveria e kthen vendin tek modeli i Enver Hoxhës. Basha shtoi se kjo reformë është një përpjekje e tjetër për të kapur institucionet e pushtetit vendor. 

“Qytetarët nuk e gjejnë veten te kjo ndarje. Qeveria e zotit Rama dhe Meta i është nisur detit më këmbë, do të dalë tek modeli me 36 njësi, modeli Enver Hoxha”. 

Sipas Bashës, “nisja e reformës territoriale pa rrahje mendimesh dhe pa konsultime nuk është produktive, por përfaqëson një mentalitet të vjetër, të denoncuar edhe më herët, një mentalitet oligarkësh. Nuk mendoj se ka apo jo qytetarë që duan të kthehen tek ndarja territoriale Enver Hoxha plus”.

Basha ftoi qeverinë për dialogim me pushtetin vendor dhe qytetarët, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, ndërsa paralajmëroi protesta nëse nuk reflektohet. 

“Në qeverinë e zotit Rama nuk ka asnjë iniciativë për të forcuar decentralizimin, për të forcuar reformën territoriale. Për këtë duhet, jo vetëm nga një vullneti i mirë por edhe një përbashkim i fakteve dhe argumenteve dhe se ku duhet të shkojmë dhe faktet dhe argumentet nuk flasin për njësi të mëdha. Nëse ka mirëkuptim, dua të shpreh vullnetin tim se ne jemi gati t’i përvishemi punës, për bashkëpunim, shkëmbim pikëpamjesh. Le ta ndalim le ta konsiderojmë këtë konferencë si një thyerje të arsyes. Qeveria të dialogojë me ne, me qytetarët siç i kërkon Kushtetua”, vijoi më tej Basha. 

Duke analizuar procesin e decentralizimit, forcimit të kapaciteteve dhe rritjes së shërbimeve që ofrojnë njësitë e zgjedhura vendore, u konkludua se komunat dhe bashkitë kanë nevojë për të tepër autonomi dhe pushtet për të rritur rolin e tyre si pushteti më i afërt me qytetarin. Në etapën e parë të konferencës u theksua se autonomia vendore është në shërbim të qytetarëve.

Konferenca e mbledhur sot, do të ketë edhe dy etapa të tjera. Në etapën e dytë do të diskutohet mbi reformën administrative dhe konsolidimin territorial. Në etapën e fundit, do të ketë një prezantim të konkluzioneve, pas këtij diskutimi dhe konslultimi publik të të zgjedhurve vendorë me ekspertët dhe grupet e interesit.