|
|
e Martë, 27 Dhjetor 2011 11:09 Tiranë-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka prezantuar para banorëve të Njësisë Bashkiake numër 3 projektet që mbështeten me fonde nga buxheti i vitit 2012.
Sipas bashkisë së Tiranës, me këtë buxhet parashikohet të mbështeten rikualifikim urban i bllokut tek Kodra e Priftit, me një sipërfaqe prej 9,5 ha, rikualifikim urban i bllokut “Sadik Petrela”, me një sipërfaqe prej 5 ha, rikualifikim urban i bllokut “Qemal Stafa” dhe rikonstruksioni i rrjetit K.U.Z. të këtij blloku.
Gjithashtu, në p/buxhet parashikohet ndërtimi i kanalit nga rruga “Dalip Topi” deri në rrugën “Marije Kraja”, rruga e Kokonozëve, rikonstruksioni i rrugës “Bajram Çela”, rikonstruksioni i Kopshti nr. 1, rikonstruksioni i plotë i shkollës 9-vjeçare “Niket Dardani” dhe çerdhes nr. 15.
Në buxhet janë parashikuar edhe fonde për shpronësimin e banorëve të prekur nga rikualifikimi urban i sheshit “Shtraus”.
“Për Njësinë Bashkiake nr 3, në projektin që do t’i paraqitet të mërkurën Këshillit Bashkiak, ne kemi parashikuar këto investime tre rikualifikime urbane, me një sipërfaqe prej afro 17 hektarësh, ndërtimin e kanalit nga rruga “Vali Popi” deri tek rruga “Marie Kraja”, rikonstruksionin e rrugës “Bajram Çela”, rikonstruksionin e një kopshti, rikonstruksionin e një çerdhe dhe rikonstruksionin e plotë të shkollës “Niket Dardani”, tha Basha
Në p/buxhetin e vitit 2012 është parashikuar edhe fondi i posaçëm për stimulimin e nxënesve me nota dhjeta.
“Për vitin shkollor 2001-2012 ne kemi planifikuar për buxhetin në vitin 2012 një fond prej 64 milionë lekësh për 1730 për nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe 380 nxënës të shkollave të mesme me nota 10″, u shpreh Basha, duke shtuar se “kemi parashikuar një fond prej 14 milionë lekësh për të njëjtin qëllim për pagesën e periudhës 15 prill-qershor 2011, pagesë e cila nuk u krye nga Bashkia”.
“Ky stimul paguhet jo vetëm për të stimuluar më të mirët dhe për t’u dhënë atyre mundësinë të vijojnë me të njëjtin kapacitet që kanë nisur, por për t’i treguar të gjithë shoqërisë dhe fëmijëve të qytetit se suksesi do të shpërblehet nga kjo Bashki”, theksoi Basha.
Projektbuxheti i Bashkisë prej 70 milionë dollarësh është konsultuar në detaje me të gjithë banorët e Njësive Bashkiake të kryeqytetit, duke u bërë kështu projektbuxheti më transparent i hartuar ndonjëherë nga Bashkia. (LajmeShqip.com)