Lajme Shqip Wednesday, 22 June 2011 20:07

Tiranë – Nga kutitë po buron plot stres e tension për taborret në garë. Basha e ruan epërsinë ndaj Ramës, por me trend të vogël të rënies. Debate të ashpra rreth kutive i përfshinë sot të dy kampet, PS e PD.

KQZ, në ditën e pestë të zbatimit të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, ka nisur të mërkurën pasdite, hapjen e kutive të votimit dhe numërimin e votave të kontestuara të KZAZ-së nr. 53 të njësisë bashkiake nr. 9, për zgjedhjet vendore për bashkinë Tiranë.

Deri më tani, pas hapjes së kutive në 8 njësi bashkiake të kryeqytetit, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha kryeson me 72 vota ndaj kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Ky proces gjatë këtyre ditëve është shoqëruar me debate dhe polemika mes palëve për çështje që lidhen me kodet e sigurisë së kutive, me mospërputhje të tyre në disa raste apo me mungesën e këtyre kodeve në raste të tjera.

KQZ filloi të shtunën (18 qershor) procesin e hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 368 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë.

Numërimi bëhet nga 8 grupe njëkohësisht, në të cilat bëjnë pjesë dy punonjës të administratës së KQZ-së dhe nga një përfaqësues i dy forcave politike, PD-së dhe PS-së.