Lajme Shqip Tuesday, 24 June 2014 11:30

I pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të degës së Shijakut, kryetari i PD-së Lulzim Basha, konsideron se me kryeministrin Rama nuk ka rilindur asgjë dhe sipas tij, shqiptarët po rikthejnë besimin tek Partia Demokratike. 

Sipas Bashës, një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, qeveria numëron vetëm dështime dhe zhgënjime. 

“Premtimet elektorale janë harruar ndërsa vendi është zhytur në varfëri dhe papunësi. Narkotrafikantët dhe personat me precedentë penal janë veshur me pushtet,ndërsa qindra të arsimuar dhe të trajnuar në shkollat dhe institucionet më të mira evropiane dhe amerikane janë hedhur në rrugë. Sot, fiks një vit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, shqiptarët po e shohin që asgjë nuk ka lindur, dhe nuk ka rilindur në këtë vend. Përkeqësim në ekonomi, mijëra vende punë të mbyllura, sipërmarrja në kufijtë e mbijetesës dhe të falimentimit, investimet e brendshme në nivelet më të uëlta ndonjëherë në Shqipëri, investime me fondet e huaja afër zeros. Statistikat e INSTAT-it flasin për një rritje dëshpëruese të papunësisë gjatë muajve të fundit. Bota e krimit, e spekulimit, e mashtrimit ka gjetur një strehë të ngrohtë, një strofull të rehatshme brenda kësaj qeverisjeje”, tha Basha. 

lulzim Basha deklaron se qytetarët kanë kthyer sytë nga PD-ja, e cila kuotohet si një parti me vlera fituese përballë kundërshtarit të saj.

“Përballë këtij realiteti dëshpërues dhe zhgënjyes nga kjo mazhorance, qytetarët kanë kthyer sytë nga PD-ja. Numri i lartë i anëtarësimeve të reja, veçanërisht i të rinjve, e dëshmon me mirë se çdo gjë, besimin që qytetarët kanë te Partia Demokratike.

Vijnë dhe bashkohen me ne sepse kanë besim tek Partia Demokratike, vijnë dhe bashkohen me ne sepse nuk shohin alternativë tjetër vlerash përveç PD-së, dhe këtë besim, nuk e ka vetëm rinia që ka vërshuar drejt PD-së. Kjo është shenjë e jashtëzakonshme e kuotimit të PD-së në bursën e besimit popullor, dhe sot ju them, se në bursën e besimit popullor plot një vit nga zgjedhjet e 23 qershorit, ne kuotohemi si një parti në moral dhe në vlera fituese përballë kundërshtarit tonë”, – theksoi Basha.