Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 12:40

Ndonëse që nga e diela kanë filluar punimet për heqjen e “Parkut të Paqes” mbi lumin Ibër, një gjë e tillë nuk po ndodh me dy barrikadat tjera që ndodhen në Suhodoll dhe në Lagjen e Boshnjakëve.

Gazeta Express ju sjell fotot nga barrikada në Lagjen e Boshnjakëve, ku pengesa me dhe e me beton vazhdon të jetë aty, dhe nuk po punohet për t’u hequr.

Arsyet pse nuk kanë filluar punimet në këto dy pika nuk i dinë as kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

“Nuk jam ne dijeni përse nuk kanë filluar punimet edhe në këto dy barrikada tjera, por sigurisht qe do te fillojnë pasi edhe ato janë të panevojshme të jenë aty”, ka deklaruar Bahtiri për Gazetën Express.

Kjo barrikadë nuk është prekur që nga vendosja e saj. Automjetet e shqiptarëve në këtë barrikadë ndalen në këtë pengesë për të kaluar më pas përmes një devijimi në pjesën veriore.

E pyetur nëse këto barrikada tjera kanë qenë pjesë të bisedimeve në Bruksel, Ministria për Dialog Edita Tahiri thotë se edhe për to është biseduar, dhe ato do të hiqen deri në Qershor.

“Marrëveshja parasheh që deri në Qershor të hiqet barrikada mbi lumin Iber, e bashkë me këtë edhe dy pengesat tjera përreth, ajo në Suhodoll dhe në Lagjen e Boshnjakëve. Mirëpo jemi veç në fillim të këtij procesi dhe deri në muajin Qershor do të hiqen që të gjitha”, ka deklaruar Tahiri.

Rivitalizimi i urës së Mitrovicës dhe rrethinat e saj ka filluar të shtunën, 17 tetor, siç kishte njoftuar Zyra e BE-sw. Kontraktori i BE-së ka njoftuar se ka mbyllur të dy anët e urës nga pengesat fikse urës dhe një gardh kantier ndërtimi. Gjatë kohës së rivitalizimin, njëra anë e urës do të mbetet në dispozicion të këmbësorëve.