|
|
e Premte, 20 Maj 2011 20:47 Tetovë – Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) iu është adresuar përfaqësive diplomatike të BE dhe SHBA-ve lidhur me shqetësimet e politikave të etnocidit në Maqedoni.
Kreu i BDSH-së, Bardhyl Mahmuti, në një konferencë me gazetarët theksoi se të shtunën më 21 Maj në Ditën Ndërkombëtare të respektimit të diversitetit kulturor, demokracitë perëndimore bëjnë bilancin e rezultateve pozitive në integrimin dhe zhvillimin e diversitetit kulturor të popujve të tyre si trashëgimi që duhet kultivuar vazhdimisht.
“Dialogu permanent dhe toleranca në këto shtete ka ngjallur aspiratat e popujve që përjetojnë diskriminimin kulturor. Populli shqiptar në Maqedoni ballafaqohet me një sistem unitarist ku tërësia e resurseve financiare investohet ekskluzivisht për kulturën e një etnie, të atyre qe identifikohen si maqedonas. Që nga ardhja në pushtet e VMRO-së në vitin 2006, kjo parti ka aplikuar sistematikisht degradimin e institucioneve kulturore shqiptare”, ka thënë Mahmuti, duke radhitur shkatërrimin e institucionit të trashëgimisë kulturore shqiptare; shkatërrimin e monumenteve me vlerë kulturore; zhdukjen e gjurmëve iliro-shqiptare; ndalimi i përdorimit të simboleve të identitetit kulturor shqiptar; degradimi i sistemit të arsimit në gjuhën shqipe; hartimi i enciklopedisë maqedonase nga ASHAM dhe projekti “Shkupit 2014”.
“Është domethënës fakti se nga të gjitha investimet në kulturë nuk u bë asnjë investim për projekte që do te afirmonin identitetin kulturor shqiptar. Kjo politikë e VMRO-së i ka të gjitha komponentët e një politike që synon etnocidin”, ka shtuar Mahmuti. BDSH, madje ngre zërin e protestës dhe kërkon mbështetje ndërkombëtare për t’i dhënë fund kësaj praktike antidemokratike.
“Është momenti i fundit që shtetet e demokracive perëndimore dhe sidomos të institucioneve euro-atlantike t’ua bëjnë me dije autoriteteve të Shkupit se pa respektimin në tërësi të diversitetit kulturor dhe pa respektimin e plotë të të drejtave të shqiptarëve, rruga e Maqedonisë drejtë këtyre institucioneve është e mbyllur. Mbetemi më shpresë se në këtë Ditë Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor demokracitë perëndimore nuk do të tolerojnë që në shekullin 21 dhe para syve të tyre të vazhdojë politika e etnocidit”, ka thënë Bardhyl Mahmuti, lider i BDSH-së.